Rama: E ftoj PD-në të ulemi në tryezë pa të huajt. Hahn: Përqendrohuni te reforma në drejtësi!
Në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin Johannes Hahn, kryeministri Edi Rama theksoi se “takimi i sotëm e konfirmoi angazhimin e dyanshëm të Shqipërisë dhe Komisionit Europian për progresin drejt stacionit të radhës, që është çelja e negociatave”.
“U vunë në dukje arritjet e reformave që ndikojnë në përmbushjen e 5 prioriteteve për hapjen e negociatave dhe u konfirmua vullneti për të vazhduar reformat. U konfirmua angazhimi për reformën e drejtësisë, si një reformë kyçe që krijon kushtet për çeljen e negociatave, por edhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të denjë për një vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së. Konfirmuam vullnetin për dialog me opozitën në komisionin e reformës, i cili nuk mund të kushtëzohet nga aspekte të politikës së ditës, sado legjitime qofshin ato”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi: “Dialogu i nivelit të lartë është një urë shembullore që na krijon kushtet për të ndërvepruar si dy palë dhe që pala shqiptare të jetë e unifikuar në qëllimin madhor, që është integrimi. Bazuar në eksperiencën shumë pozitive të dialogut të nivelit të lartë, nuk është e kotë që unë ta ftoj PD-në që të ulemi në një tryezë dialogu mes nesh, pa praninë e miqve dhe të dëgjojmë me vëmendje PD-në, pasi ekziston mundësia që mosdakortësitë tona t’i trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Gjuha e kushteve dhe kërcënimeve është e drejtë e çdo pale, por duhet të ulemi në tryezë së bashku”.
Nga ana e tij, Hahn deklaroi se “prioriteti është një gjyqësor funksional për qytetarët dhe investitorët”, por shtoi se të rëndësishme janë edhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe reformës zgjedhore, “duke qenë se vitin e ardhshëm Shqipëria ka zgjedhje të përgjithshme”.
“Përsa i përket reformës, duhet të fokusohemi te ajo reformë dhe jo t’i ndërlikojmë gjerat. Unë u bëj thirrje të gjithëve që të ulen në tryezë dhe të bëjnë hapin e fundit”, u shpreh komisioneri.
“Çelja e negociatave për anëtarësim në BE është një datë, por duhet të përqendroheni te procesi. Duhet që vendi të nisë këtë proces, që të shohim angazhimin dhe të bëhen analizat përkatëse”, tha Hahn.