Politika

Rama: Hetim të plotë privatizimit të OSHEE-së

Në fjalën e mbajtur në 1-vjetorin e nisjes së aksionit për mbledhjen e borxheve, kryeministri Edi Rama u ndal edhe njëherë tjetër tek privatizimi dhe sjellja e shtetit shqiptar pas dëbimit të kompanisë CEZ, duke deklaruar se pala shqiptare do të kërkojë një hetim penal me ekspertizë ndërkombëtare për atë që ka ndodhur në gjithë sistemin energjitik para marrëveshjes së nënshkruar me çekët.

Kryeministri tha se marrëveshja me CEZ po sulmohet sot nga personat që abuzuan me sektorin.

“Ajo marrëveshje, që sot sulmohet në mënyrë të orkestruar për arsye që ne e dimë shumë mirë dhe jam i bindur që koha do ta provojë këtë, të shtyrë nga frika legjitime e atyre që duhet të përgjigjen për atë që i bënë sektorit energjitik, është një marrëveshje e negociuar jo në kulisa, as në zyrën e Kryeministrit, si pazaret e faktuara me dokumenta, që do të jenë pjesë e hetimit penal që ne do të kërkojmë me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare, por u negociua në Vjenë me pjesëmarrjen e 15 personave nga qeveria shqiptare dhe me seanca të regjistruara”, tha Rama.

Kryeministri rispërsëriti qëndrimin e mazhorancës se pala shqiptare nuk kishte asnjë mundësi të fitonte çështjen në Arbitrazh dhe e gjithë kjo falë veprimeve të kryera nga shteti shqiptar pas prishjes me kompaninë çeke.

“Privatizim tërësisht abuziv, të nisur të dështuar, ku Qeveria hyri në një pazar të madh dhe për këtë arsye u bë ai privatizim dhe kur u prish pazari i madh bëri fajin e madh të ofensivës policore duke ekspozuar tërësisht shtetin shqiptarë përballë privatizuesve dhe duke e dënuar shtetin shqiptar si palë humbëse në çdolloj gjykate”, shtoi kryeministri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button