Rama: Komisariati dixhital, histori suksesi. Ja projekti i radhës për policinë
Projekti i radhës do të jetë lidhja online e efektit në terren me sallën operative. Kështu bëri të ditur kryeministri Edi Rama në analizën e 10 javëve të funksionimit të Komisariatit Dixhital. Ai shtoi se besimi i publikut tek policia është drejtimi më i vështirë për të cilën qeveria do të vazhdojë të punojë.
“Ishte me rëndësi të kurorëzonim këtë moment publikisht për të vazhduar të punojmë në një drejtim që është drejtimi më i vështirë, ai i ndërtimit të vazhdueshëm të besimit të qytetarëve që nëese angazhohen në një bashkëpunim me policinë ja vlen. Nuk është një mundim i kotë dhe nuk është një përpjekje pa rezultat. Përkundrazi është një mundim që ia vlen dhe përpjekje me rezultat. Sot ishte një moment për të bërë një bilanc të kësaj strukture të re që është thjesht një aplikacion, por që në dhjetë javë ka përfshirë një numër shumë të madh qytetarësh, në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për të parandaluar apo ndëshkuar sjellje të pahijshme”, ka thënë Rama.
Kryeministri ka prezantuar edhe projektin e radhës për Policinë e Shtetit, i cili do të jetë lidhja online e efektivit në terren me sallën operative.
Në 10 javë të funksionimit të Komisariatit Dixhital, ka vijuar më tej Rama, aplikacioni është shkaruar 45 mijë herë dhe janë bërë 14 mijë denoncime. “Thelbi është krijimi i këtij institucioni virtual në smartphone e çdo qytetari që e ka shkarkuar këtë aplikacion, ka sjellë një vlerë të shtuar dhe një rëndësi të madhe për Policinë e Shtetit. Ka ende përmirësime për të bërë nga pikëpamja e reagimit, monitorimit qoftë të ankesave dhe denoncimeve, qoftë dhe cilësisë së reagimit, por është e sigurtë nëse vendosim këtë gur themeli pa asnjë dyshim, gur gur do të ngrihet një mur i madh i përbashkët mes institucionit, policisë dhe qytetarëve për të frenuar jo vetëm krime që çojnë në pasojë dhe humbjen e jetëve po dhe sjellje të këqija që bien ndesh ligjit”, ka thënë Rama.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një eveniment me zyrtarë të policisë ka publikuar historikun e komisariatit dixhital. Në fjalën e tij, ministri Tahiri ka deklaruar se, komisariati dixhital që nga krijimi i tij ka qenë një histori suksesi.
Tahiri ka thënë se, falë denoncimeve të qytetarëve të bëra përmes këtij aplikacioni janë shmangur një seri abuzimesh dhe shkeljesh të ligjit nga kundravajtësit. “Ka pasur 45 mijë shkarkime në komisariatin dixhital për të pasur veprim në kohë reale”, ka thënë mes të tjerash Tahiri.