Rama: Luftë hibride, forca kundër zhvillimit po përdorin çështjet e mjedisit për të nxitur tensione
Kryeministri Edi Rama, gjatë komunikimit me mediat pas mbledhjes së qeverisë, iu përgjigj pyetjes së gazetares Denada Shkodrani lidhur me angazhimin e institucioneve ligjzbatuese shqiptare për të verifikuar nëse ka pasur ndërhyrje nga shtete të huaja apo aktorë jo dashamirës ndaj Shqipërisë.
Kreu i qeverisë u shpreh se vendi ka kapacitete të larta në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike dhe se fenomeni me të cilin po përballet nuk lidhet drejtpërdrejt me terrorin kibernetik, por me atë që ai e cilësoi si “luftë hibride”.
“Kush nuk e ka kuptuar këtë, nuk ka për ta kuptuar as me fjalën e agjencive ligjzbatuese. Të paktën dihet botërisht se për këtë jemi të respektuar edhe brenda natës. Kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik. Kemi një pasqyrë shumë të plotë nga vijnë e ku shkojnë dhe ky nuk është territor i terrorit kibernetik, por i luftës hibride, për të cilën kemi dëgjuar nga vende të tjera dhe që ka ardhur edhe këtu në vendin tonë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, ekzistojnë studime dhe analiza nga vende demokratike që tregojnë mënyrën se si forca të caktuara veprojnë për të penguar zhvillimin e vendeve që nuk duan t’i shohin të forta ekonomikisht dhe politikisht.
“Janë të panumërta burimet e botës demokratike që kanë nxjerrë studime se si forcat kundër zhvillimit të vendeve, që nuk i duan të forta, organizojnë, nxisin dhe orkestrojnë situata të kësaj natyre duke përdorur çështjet e ambientit, ku ka sensibilitet të madh. Bashkohen vëllezërit e Agimit të Artë, që orkestrohen nga ustallarë si ata të Agimit të Artë, në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me shqiptarë, vajza e djem të rinj, me qasje atdhedashurie ndaj natyrës, që ndihen të lënduar. Kjo është luftë hibride dhe do të mbarojë”, tha kryeministri.
Rama shtoi se, sipas tij, përfundimisht secila palë do të marrë atë që i takon dhe se përfitues do të jenë qytetarët shqiptarë përmes zhvillimit ekonomik të vendit.
“Gjithkush do të marrë atë që i takon dhe Shqipëria e shqiptarët do të marrin të ardhurat që u takojnë për të rritur ekonominë, Shqipërinë në të gjitha aspektet dhe atë kryesorin që është ekonomia”, u shpreh ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.