Rama: Ndërhyrja e deputetëve për punësime të konsiderohet vepër penale
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ndërhyrjet e deputetëve për punësimin e personave duhet të konsiderohen vepër penale. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen me deputetët dhe ministrat, Rama tha se do të propozojë një ndryshim në këtë drejtim, duke shtuar se do u kërkojë deputetëve që ta votojnë.
“Unë do propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti me telefon për të futur njeri në punë të konsiderohet vepër penale. Do e propozoj këtë dhe do ju shoh të gjithëve në sy dhe do ju kërkoj ta votoni. Çdo mesazh i çuar: ‘Fut këtë në punë’, ‘Shih çik atë’, të konsiderohet vepër penale”, deklaroi Rama.
Kryeministri argumentoi se një deputet që ndërhyn për punësime nuk është i denjë të përfaqësojë mijëra qytetarë që nuk kanë akses te ai dhe që e kanë votuar.
“Sepse një deputet që bën këtë nuk është i denjë për të qenë përfaqësuesi i mijëra të tjerëve që nuk kanë akses te WhatsApp-i i tij, që nuk janë pjesë e trungut të familjes së tij, që s’janë pjesë e rrënjëve të tarafit të tij dhe që e kanë votuar këtë deputet e në fund shikojnë fëmijën e tyre të parakalohet nga WhatsApp-i i deputetit”, u shpreh ai.
Rama u ndal edhe te nevoja për krijimin e një sistemi të bazuar te meritokracia, duke theksuar se shteti duhet të komunikojë mundësinë për një karrierë profesionale dhe jo thjesht të synojë bindjen e qytetarëve.
“Ne duhet të krijojmë një sistem që të jetë në gjendje ta komunikojë shtetin, jo të komunikojë në sensin e mbushjes së mendjes, por ta komunikojë shtetin te besimi në karrierë”, tha kryeministri. Në këtë kuadër, ai theksoi se “Shkalla e Meritës” duhet të krijojë një sistem të qartë, ku grada profesionale të jetë një aset i individit dhe të mos varet nga posti që ai mban apo nga qeveria që është në pushtet.
“Shkalla e meritës duhet të krijojë një arkitekturë shumë të qartë, ku grada të bëhet pasuri profesionale e njeriut, jo pronë e postit që mban sot apo e qeverisë që vjen nesër”, theksoi Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.