Rama në Këshillin Europian të Korporatave: Paqja nuk është vetëm arritje diplomatike, por kusht për zhvillimin ekonomik
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e tetë të Këshillit Europian të Korporatave, ku foli për rëndësinë e paqes, zhvillimit ekonomik dhe perspektivës së brezave të ardhshëm.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi pjesëmarrjen në këtë forum si një nder dhe privilegj, duke vlerësuar rolin e platformës në bashkimin e ideve dhe njohurive nga burime të ndryshme.
“Dua të them se është një nder i veçantë dhe privilegj t’ju bashkohem. Kjo platformë, e krijuar për të bashkuar dije që vjen nga burime të papritura, tregon gjithashtu diçka shumë të rëndësishme”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se paqja nuk duhet parë vetëm si një rezultat diplomatik, por si një element thelbësor për krijimin e kushteve të zhvillimit ekonomik.
“Paqja nuk është një arritje diplomatike që i paraprin zhvillimit ekonomik, por një kusht politik që zhvillimi ekonomik e bën të mundur”, tha Rama.
Ai u ndal gjithashtu te ajo që e cilësoi si “masa e vërtetë e progresit”, duke theksuar rëndësinë e mundësive që u krijohen brezave të ardhshëm. “Nuk duhet të harrojmë se masa e vërtetë e progresit është horizonti i mundësive që u lëmë atyre që vijnë pas nesh. Dhe për këdo që vjen pas nesh, ky horizont mundësish nuk është vetëm vendi ynë, por bota jonë e përbashkët”, deklaroi kryeministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.