Rama në Stamboll: Situata energjitike në Shqipëri është transformuar në dy vitet e fundit
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Samitin e VII të Këshillit të Atlantikut për Energjinë dhe Ekonominë, në Stamboll.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se, situata energjitike në Shqipëri është transformuar në dy vitet e fundit. “Përgatitëm një plan veprimi shumë agresiv, që kishte si qëllim krijimin e një sistemi energjetik të qëndrueshëm. Përpjekjet e qeverisë dhe mirëkuptimi i njerëzve kanë prodhuar një transformim spektakolar. Niveli i mbledhjes së të ardhurave është i lartë, ndërsa niveli i humbjeve ka rënë”, tha kryeministri Rama.
Për herë të parë, tha kreu i ekzekutivit, “në 25 vitet e fundit kompania e energjisë ka dhënë përftime duke mundësuar për investime në sistem. Tashmë kemi mundësi të plotësojmë 100% të kërkesave, megjithëse kemi prodhuar 32% më pak në 2014-ën, si rezultat i kushteve”.
“Qëllimi ynë është të transformojmë sistemin e energjisë nga barrën më të rëndë në një vetëfinancues, brenda 2018ës”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se, në janar u firmos një marrëveshje për sistemin energjitik me BE, ku është anëtarësuar gjithë rajoni.
“Duam të kemi një sistem politik të modernizuar me një ekonomi që mbështet të varfërit. Jemi duke modernizuar lidhjet me Greqinë dhe Malin e Zi. Po përmirësojmë linjat e interkonjeksionit me Kosovën dhe Maqedoninë. Projekti TAP e vendos vendin tonë në një pozitë gjeo-strategjike të BE-së”, tha Rama.
“Shembulli i përbashkët i BE-së është që energjia duhet të ndahet. Sot ka një angazhim të qartë për një ndryshim themelor për gjithë rajonin”, u shpreh Rama, duke shtuar se, “nuk ka krizë energjetike, por ka vetëm krizë nga injoranca dhe rasti ynë është një provë”.