Rama në televizionin italian “La7”: Plan europian kundër ISIS
Kryeministri Edi Rama, i ftuar në “talk show” “Le invasioni barbariche” në televizion italian “La7”, deklaroi se duhet një Europë më e organizuar në përballjen me ISIS.
“Duke parë në televizion atë që po ndodh në këto vende, ku është kjo barbari kundër njerëzimit, bihet në gabimin që të mendosh që është diçka që po ndodh larg dhe nuk na përket ne. Në fakt është diçka që mund të na ndodhe të gjithëve në shtëpi. Këtë gjë e dëshmuan dhe ngjarjet në Paris. Është e qartë që këtu duhet një strategji e vërtetë e Europës dhe të një projekti të vërtetë. Për shembull, kur ishte lufta për të çliruar shqiptarët e Kosovës, kishte një plan të qartë për këta refugjatë. Ata erdhën në Shqipëri, Itali e në shtete të tjera. Ndërkohë, këta që vijnë tani nga deti, nuk mund të lihen aty, por ama as të priten nga një shtet i vetëm. Duhet një plan europian dhe në gjithë këtë histori është mungesa e një Europe strategjike”, është shprehur kryeministri Rama.
Kryeministri Rama vuri theksin dhe tek forcat antieuropiane që po fuqizohen çdo ditë, duke u shprehur se nuk është zgjidhja dalja nga Bashkimi Europian, por duhet besimi dhe krijimi i një Europë më të bashkuar dhe më tolerante.
I prezantuar si një kryeministër ndryshe, me një të shkuar si basketbollist, piktor, por edhe këngëtar, Daria Bignardi, drejtuesja e emisionit, në bisedë me Ramën u ndal tek e shkuara e Shqipërisë, por dhe tek e ardhmja. Edhe njëherë kryeministri Rama nuk kurseu thirrjen e tij ndaj bizneseve italiane për të investuar në Shqipëri, “në këtë vend do të gjeni një klimë shumë të mirë biznesi”, u shpreh ai.
Gjatë bisedës nuk kishin si të mungonin as ngacmimet lidhur me epitetet që i janë vënë shqiptarëve ndër vite në Itali, por kryeministri Rama iu përgjigj me të njëjtën monedhë.
“Ishin të njëjtat epitete që qarkulluan për gjyshërit tuaj në Amerikë. Italianë, pica dhe mafia, ishte një epitet shumë i përhapur, por që nuk i përqasej realitetit, por që për fat të keq ka qenë kështu për vite e vite. Por, tani janë mbi 38 mijë biznese të ngritura nga shqiptarët në Itali dhe qindra mijë të tjerë që jetojnë e punojnë këtu. Me kënaqësi dua të them që prej vitesh studentët shqiptarë në Itali janë studentët më të mirë të huaj”, tha kryeministri Rama.
Ndërsa pas intervistës, kryeministri Rama shkroi në Facebook, “Eksperiencë e bukur në emisionin e Daria Bignardit, mundësi për të treguar një Shqiperi krejt tjetër nga ajo që shumë italianë kanë në kokë!