Politika

Rama: Pa vetting-un, s’ka kompromis

Kryeministri Edi Rama, me anë të një statusi në Facebook pas dështimit të negociatave me opozitën mbrëmjen e së martës, theksoi se “pa vetting-un s’ka asnjë kompromis”.
“Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por, pa Vetingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”, shkruan Rama.
Negociatat mes qeverisë dhe opozitës, me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian, nuk ia dolën që të ulnin bashkë në një tryezë dialogu Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. 5 orët e negociatave ishin intensive, por pa produkt të përbashkët. Takimi i parë i David McAllister nga e djathta dhe Knut Fleckenstein nga e majta e Parlamentit Europian, ishte me bashkëkryetarët e koalicionit qeveritar, Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata janë njohur me një dokument që synonte përmirësimin e standardit të zgjedhjeve, por që nuk përfshinte si pikë kërkesën e opozitës për qeverinë teknike.
Burime pranë qeverisë i thanë Top Channel se mazhoranca e ka vlerësuar dokumentin si një bazë të mirë për dialog me opozitën dhe se do të ishte e gatshme të diskutonte me të në një tryezë dialogu.
Burime të tjera, që e kanë parë dokumentin, bënë të ditur për Top Channel se ai përmban disa çështje që janë menduar se i japin besueshmëri procesit zgjedhor. 3 prej tyre janë drejtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga opozita, ndryshimi i disa drejtuesve të policisë, si dhe ndryshimet në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimin për shitblerjen e votës.
Por, për opozitën ky dokument nuk ishte një zgjidhje. Burime nga opozita thanë për Top Channel se ndërmjetësuesit europianë informuan se dokumenti është hartuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe prezenca e OSBE-së dhe kanë kërkuar të mësojnë pozicionin e opozitës, nëse ai përbën një bazë për dialog. Të njëjtat burime thanë se kryetari Lulzim Basha është shprehur se e vetmja bazë për dialog është qeveria teknike dhe mandati i saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button