☁️
Tiranë 15°C · Vranët 17 Nëntor 2026
S&P 500 7,341 ▼1.03%
DOW 50,759 ▼1.64%
NASDAQ 24,328 ▼0.74%
NAFTA 85.61 ▼0.13%
ARI 3,852 ▼0.03%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1006 EUR/GBP 0.8343 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.6481 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6009 EUR/TRY 55.4863 EUR/JPY 175.61 EUR/CAD 1.5728 EUR/USD 1.1006 EUR/GBP 0.8343 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.6481 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6009 EUR/TRY 55.4863 EUR/JPY 175.61 EUR/CAD 1.5728
₿ CRYPTO
BTC $64,458 ▼ -1.52% ETH $1,806 ▼ -1.65% XRP $0.9711 ▲ +0.91% SOL $73.7100 ▲ +2.22%
S&P 500 7,341 ▼1.03 % DOW 50,759 ▼1.64 % NASDAQ 24,328 ▼0.74 % NAFTA 85.61 ▼0.13 % ARI 3,852 ▼0.03 % S&P 500 7,341 ▼1.03 % DOW 50,759 ▼1.64 % NASDAQ 24,328 ▼0.74 % NAFTA 85.61 ▼0.13 % ARI 3,852 ▼0.03 %
EUR/USD 1.1006 EUR/GBP 0.8343 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.6481 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6009 EUR/TRY 55.4863 EUR/JPY 175.61 EUR/CAD 1.5728 EUR/USD 1.1006 EUR/GBP 0.8343 EUR/CHF 0.9242 EUR/ALL 90.6481 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6009 EUR/TRY 55.4863 EUR/JPY 175.61 EUR/CAD 1.5728
17 Nën 2026
Breaking
Bota

Rama për ”The Independent”: Demokracitë po rrezikohen nga rrjetet sociale, ndërsa Shqipëria vijon rrugën drejt BE-së

– Demokracitë po rrezikohen nga rrjetet sociale, ndërsa Shqipëria vijon rrugën drejt BE-së, tha kryeministri Edi Rama në një intervistë për kryeredaktorin e prestigjiozes britanike ”The Independent”, Geordie Grieg.

Rama ka paralajmëruar liderin e ”Reform UK”, Nigel Farage, se rrezikon të bjerë viktimë e një “mallkimi shqiptar”, pasi i ka etiketuar qytetarët shqiptarë si kriminelë.

Ironia e Ramës ndaj liderit të Reform UK, i cili po përballet me vështirësi politike, vjen pas një serie deklaratash të forta të politikanëve të kësaj force politike lidhur me emigrantët shqiptarë në BM.

Vitin e kaluar, Farage pretendoi se “një në 50 shqiptarë në BM ndodhet në burg”, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga kryeministri shqiptar, i cili e sfidoi për vërtetësinë e shifrave dhe e ftoi të vizitonte Shqipërinë.

Tashmë, Rama e ka akuzuar Farage se ka treguar mungesë serioziteti duke mos mbajtur premtimin për të vizituar Shqipërinë dhe për të verifikuar faktet.

Kryeministri shqiptar ka vijuar me një tjetër deklaratë thumbuese, duke e lidhur rënien e Farage në sondazhe me atë që e cilëson si “mallkimi shqiptar”, ndërsa pretendimet e liderit të ”Reform UK” për të ardhur në pushtet i ka përshkruar si përpjekje që “nuk po shkojnë askund”.

Sipas Ramës, edhe politikania tjetër e Reform UK, Suella Braverman, është një tjetër viktimë e këtij “mallkimi shqiptar”.

Braverman, e cila gjithashtu ka bërë komente përçmuese ndaj shqiptarëve, është shkarkuar dy herë nga posti i ministres së Brendshme në qeveritë konservatore. Ajo është kritikuar edhe për angazhimin e saj të fundit profesional, pasi raportohet se ka përfituar 100 mijë paund për t’u lidhur me pranga me modelen Katie Price në spektaklin televiziv të realitetit “Celebrity Handcuffed”.

“Mallkimi shqiptar është diçka nga e cila duhet të kesh kujdes, sepse kushdo që sulmon shqiptarët nuk përfundon mirë politikisht”, deklaron Rama.

“Suella Braverman – ajo tani nuk është askund, apo jo? Edhe disa të tjerë, nuk janë askund. I kam thënë ‘mikut’ tim Nigel Farage ‘ki kujdes, sepse ekziston një mallkim shqiptar”, tha ai.

Rama, kryeministri me mandatin më të gjatë në Evropë, thotë se Farage e kishte pranuar ftesën për të vizituar Shqipërinë, por nuk e ka mbajtur premtimin.

“Ai është shumë i mirë në bërjen e premtimeve, por nuk duket po aq i mirë në mbajtjen e tyre”, shton ai.

“Është e turpshme të veçosh komunitete, etni, ngjyra të lëkurës, gjuhë dhe kultura të ndryshme për qëllime politike”, thekson Rama.

Deklaratat e kryeministrit shqiptar për “mallkimin shqiptar” nuk janë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por pasqyrojnë përçmimin e tij ndaj politikanëve si Farage dhe Braverman, të cilët, sipas tij, përdorin një komb të tërë – popullin shqiptar – si objektiv politik.

I pyetur nëse i konsideron këto qëndrime si racizëm, Rama përgjigjet se “mund të jetë racizëm. Mund edhe të mos jetë racizëm. Por, në të dyja rastet, është e turpshme”.

Në një intervistë të gjerë, Rama, i cili është në pushtet prej 13 vitesh në Shqipëri, pas rënies së regjimit të dikurshëm të ashpër komunist, thotë se demokracia po “gëlltitet e gjallë nga e keqja e rrjeteve sociale”, të cilat u kanë dhënë një platformë “nazistëve dhe pedofilëve”.

Ai vlerëson Andy Burnham si një “forcë të madhe natyrore”, thotë se frymëzimin për t’u futur në politikë e mori nga Tony Blair dhe administrata e tij “fantastike” e New Labour si dhe shpreh admirimin për Margaret Thatcher.

Rama pretendon se Mbretëria e Bashkuar ndodhet në një gjendje “të dëshpëruar” pas “vetëshkatërrimit” që, sipas tij, solli Brexit-i.

Ai rrëfen gjithashtu se ka përjetuar një tentativë të dhunshme për atentat, gjatë së cilës pësoi frakturë të kafkës, ndërsa autorët e lanë të shtrirë si “një copë jashtëqitje qeni në shi”.

Kryeministri shqiptar hedh poshtë gjithashtu akuzat për korrupsion lidhur me një projekt shumë miliardë dollarësh për ndërtimin e një marine në Shqipëri, ku janë të përfshirë Ivanka Trump, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner.

Rama, i cili është socialist, i cilëson si të pabazuara të ashtuquajturat protesta të “Revolucionit të Flamingove”, demonstrata të gjera të studentëve dhe aktivistëve mjedisorë kundër projekteve të financuara nga investitorë të huaj, si projekti i lidhur me Ivanka Trump, të cilat kanë ngritur shqetësime për rrezikun ndaj flamingove dhe faunës së egër.

Komentet e Ramës për Farage dhe “mallkimin shqiptar” përbëjnë një ndërhyrje tipike provokuese të një lideri, vendi i të cilit ka përjetuar një nga transformimet më të jashtëzakonshme në Evropë: nga pushtimet fashiste dhe një prej diktaturave komuniste më represive në historinë moderne, drejt një shteti që po përqafon zgjedhjet, ekonominë e tregut, turizmin dhe investimet ndërkombëtare.

Në zyrën e tij në Tiranë, lapsat me ngjyra të shpërndarë mbi tavolinë japin shenjën e parë se Rama nuk është një kryeministër i zakonshëm. Ai është një artist i talentuar, veprat e të cilit janë ekspozuar në galeri arti.

Shenja e dytë është vetë ai. Me një gjatësi prej 1,98 metrash, Rama është një burrë shtatlartë, me duar artisti, prirje për debat dhe një mimikë që përputhet me gjatësinë e tij të pazakontë.

Ai sapo është kthyer nga Dublini, ku ka marrë pjesë në një samit të Bashkimit Evropian, dhe shfaqet në një gjendje të mirë humori.

Për të kuptuar krenarinë e tij për përparimin e Shqipërisë, duhet të kuptojmë fillimisht se nga çfarë gjendjeje është nisur vendi.

Italia pushtoi Shqipërinë në vitin 1939, ndërsa Gjermania naziste e pushtoi atë në vitin 1943. Pas tërheqjes së gjermanëve, pushtetin e mori rezistenca komuniste nën drejtimin e Enver Hoxhës, i cili vendosi një diktaturë staliniste që zgjati katër dekada.

Ndërmarrjet private u ndaluan, feja u shpall e jashtëligjshme dhe kundërshtarët politikë u burgosën ose u ekzekutuan. Pasi ndërpreu marrëdhëniet me radhë me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, Hoxha e izoloi Shqipërinë, duke e shkëputur pothuajse tërësisht nga bota e jashtme. Në vend u ndërtuan mijëra bunkerë betoni, në pritje të një pushtimi që nuk ndodhi kurrë. Izolimi i vendit ishte aq ekstrem, sa Shqipëria krahasohej shpesh me Korenë e Veriut.

Udhëtimet jashtë vendit ishin të kufizuara në mënyrë drastike, ndikimet e huaja shiheshin me dyshim dhe ekonomia mbeti e varfër për shkak të planifikimit të ngurtë qendror. Enver Hoxha vdiq në vitin 1985, por komunizmi mbijetoi deri në vitin 1991.

Rënia e regjimit solli një tranzicion kaotik drejt ekonomisë së tregut, emigrim masiv dhe, në vitin 1997, kolapsin e skemave mashtruese piramidale të investimeve, të cilat e zhytën vendin pothuajse në anarki.

Sot, Shqipëria zhvillon zgjedhje konkurruese, ka një ekonomi private në rritje, tërheq investime ndërkombëtare dhe gëzon një industri turistike në lulëzim. Vendi u anëtarësua në NATO në vitin 2009 dhe po zhvillon negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, vazhdojnë të ekzistojnë shqetësime serioze lidhur me korrupsionin, lirinë e medias dhe pavarësinë e institucioneve.

Por, distanca që Shqipëria ka përshkuar nga koha e regjimit të Hoxhës është e jashtëzakonshme.

Edi Rama ka qenë një nga arkitektët dhe përfituesit kryesorë të këtij transformimi.

Që kur ai u bë kryeministër, BM ka pasur shtatë kryeministra në Downing Street.

Ai nuk e sheh këtë si një arsye për humor, por si dëshmi të një krize më të gjerë politike.

“Mbretëria e Bashkuar është një rast edhe më i dëshpëruar se Evropa”, thotë Rama, duke shprehur shpresën se kryeministri i ri britanik mund ta kthejë vendin nga rruga e “vetëshkatërrimit” të nisur me Brexit-in.

Ai u takua për herë të parë me Andy Burnham një ditë më parë dhe shfaqet dukshëm më entuziast për të sesa për Farage.

“Një forcë e madhe natyrore”, thotë Rama.

Ai shpjegon se tërheqja e Burnham buron nga përvoja e tij në pushtetin vendor, të cilin Rama e konsideron fushën e vërtetë të betejës politike, ku problemet që në pamje të parë duken të vogla kanë rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët e zakonshëm.

“Ai ka shumë admirues në kabinetin tim, sepse janë të rinj dhe ende janë të përshtatshëm për Instagram, ndërsa unë nuk jam”, thotë ai duke qeshur.

“I thashë se admiroj atë që po bën, por unë jam shumë i moshuar për të qenë i përshtatshëm për Instagram”, shton ai.

“Ne, demokracitë, kemi lejuar që liria e fjalës të zëvendësohet nga liria e shtrirjes së ndikimit”, deklaron kryeministri shqiptar.Rama është larg të qenit një teknokrat tradicional.Shumë kohë përpara se të hynte në qeveri, ai ishte një intelektual, artist dhe profesor i Akademisë së Arteve në Tiranë, i njohur për qëndrimet e tij të hapura. Ai e përshkruan veten si një “trazues profesionist”, një karakteristikë që për pak sa nuk i kushtoi jetën.Në janar të vitit 1997, thotë ai, dy persona e sulmuan teksa po kthehej në shtëpi me të dashurën. Të armatosur me tuba metalikë dhe doreza të pajisura me gozhdë, ata e lanë me frakturë të kafkës dhe me hundën e thyer në pesë vende.

Ai tregon një shenjë të thellë në majë të kokës.

“Isha krejtësisht i pambrojtur, i ekspozuar ndaj goditjeve”, kujton ai.

Rama beson se personat që e sulmuan ishin dërguar nga regjimi i asaj kohe dhe se qëllimi ishte vrasja e tij. Njëri prej sulmuesve ka ndërruar jetë ndërkohë. Rama thotë se nuk është përballur kurrë me të.

Në atë kohë, ai kishte pak interes për politikën. Një liberal i pavarur, ai e ndante kohën mes Shqipërisë dhe Francës dhe besonte se intelektualët kishin detyrimin t’i flisnin shoqërisë në mënyrë të pavarur.

Pas sulmit, vendosi se nuk do të kthehej më në Shqipëri.

“U ndjeva si një copë m… qeni nën shi dhe thashë se nuk do të kthehesha më”, shprehet ai.

Por, u kthye.

Artisti që kishte sfiduar shtetin përfundimisht u bë përfaqësuesi i tij më i fuqishëm.

Arti vazhdon të jetë në qendër të identitetit të tij. Gjatë komunizmit, shprehja artistike ishte e kontrolluar rreptësisht, ndërsa regjimi përcaktonte se çfarë duhej të pikturohej dhe si duhej të paraqitej bota.

Rama, përkundrazi, u tërhoq nga arti modern evropian, abstraksioni dhe ngjyrat.

Një nga aktet e tij më të spikatura të kundërshtimit ishte lyerja e pallateve gri të Tiranës me ngjyra të ndezura pastel, duke ndryshuar pamjen e një qyteti që po dilte nga dekada të tëra sundimi komunist. Pas rënies së komunizmit, ai ndihmoi në drejtimin e revolucionit studentor në Akademinë e Arteve, duke kërkuar lirinë intelektuale.

“Nuk isha i interesuar për politikën partiake. Isha i pavarur, liberal”, thotë ai.

Ironia është e konsiderueshme. Njeriu që dikur e konsideronte qeverinë si një instrument shtypjeje, sot mban postin më të fuqishëm në vend.

Nëse ai ka ruajtur ende mjaftueshëm nga skepticizmi i disidentit të dikurshëm për të vënë në pikëpyetje pushtetin e tij, kjo është një çështje shumë më e vështirë.

Shqipëria ka përjetuar së fundmi disa nga protestat më të mëdha që prej rënies së komunizmit.

Demonstratat janë përqendruar te korrupsioni, kostoja e jetesës dhe një projekt i propozuar për zhvillimin e një kompleksi luksoz në ishullin e Sazanit, ku janë të përfshirë Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, dhe investitorë të tjerë ndërkombëtarë.

Ishulli, që është shtëpia e habitateve të rëndësishme natyrore, përfshirë ato të flamingove, është kthyer në një simbol të shqetësimeve më të gjera lidhur me drejtimin që po merr vendi.

Protestuesit kanë ngritur madje edhe një bust të Ramës, i cili më pas është rrëzuar, një skenë që sjell në kujtesë rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës në vitin 1991.

Rama beson se rrjetet sociale e kanë deformuar debatin dhe e kanë kthyer atë në diçka edhe më të dëmshme: një sulm ndaj komunikimit demokratik.

“Kështu u bëmë skena e një zemërimi që e çoi Shqipërinë në çdo ekran kompjuteri në të gjithë botën”, thotë ai.

Ai pranon se kjo përvojë e ka shqetësuar thellësisht.

“Ishte tronditëse, sepse e ndjeva në lëkurën time se çfarë katastrofe janë rrjetet sociale. Pashë se si demokracitë tona po gëlltiten të gjalla nga e keqja e rrjeteve sociale”, thekson ai.

Ai argumenton se shoqëritë demokratike dikur e kuptonin se publikimi i informacionit shoqërohej me përgjegjësi. Gazetat mund të kishin qëndrime të ndryshme dhe të zhvillonin debate të ashpra, por redaktorët dhe botuesit ushtronin një kontroll mbi atë që publikohej.

“Neonazistët, radikalët, pedofilët dhe gjithë llumi i shoqërisë nuk mund të kishin lirinë për t’u shfaqur dhe për të fituar status qytetarie në këtë botë”, thotë ai.

“Sot, të gjithë nazistët e botës janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe janë bashkë, krenarë për këtë, ashtu si të gjithë teoricienët e konspiracionit dhe gjithë ata që përhapin marrëzira”, shton Rama.

Më pas, Rama jep një përshkrim që të tërheq vëmendjen.

“Ne, demokracitë, kemi lejuar që liria e fjalës të zëvendësohet nga liria e shtrirjes së ndikimit”, shton ai.

Është një shprehje domethënëse, veçanërisht kur vjen nga një njeri që është rritur në një vend ku liria e shprehjes pothuajse nuk ekzistonte.

Megjithatë, sfida për çdo lider demokratik është të bëjë dallimin mes kërcënimeve ndaj institucioneve demokratike dhe kritikave legjitime ndaj qeverisë.

Debati për ishullin e Sazanit është një rast konkret.

“Kur u takova me Jared Kushnerin dhe kur Jared Kushner më pyeti nëse mund të shqyrtonte mundësinë e një investimi në Shqipëri, Donald Trump nuk ishte president i Shteteve të Bashkuara”, thotë Rama.

Projekti i propozuar për zhvillimin e ishullit të dikurshëm ushtarak, në hyrje të gjirit të Vlorës, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për shkak të peizazhit të tij të jashtëzakonshëm natyror dhe përmasave të investimit që po shqyrtohet.

Megjithatë, Rama thotë se vëmendja është përqendruar kryesisht te lidhja e projektit me familjen Trump. Ivanka Trump e ka përshkruar veten si të mahnitur nga bukuria e ishullit, duke kujtuar një shëtitje zbathur deri në majën e malit. Por, përfshirja e familjes Trump ka ngritur pikëpyetje lidhur me investitorët e fuqishëm, lidhjet politike dhe pasojat mjedisore të projektit. Rama shfaqet dukshëm i irrituar nga ajo që e konsideron një paraqitje të shtrembëruar të ngjarjeve.

“Kur u takova me Jared Kushnerin dhe kur Jared Kushner më pyeti nëse mund të shqyrtonte mundësinë e një investimi në Shqipëri, Donald Trump nuk ishte president i Shteteve të Bashkuara. Ai ishte një subjekt i sistemit të drejtësisë penale në SHBA dhe, në atë kohë, dukej se shanset e tij për të përfunduar në burg ishin shumë më të mëdha sesa shanset për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë”, deklaron Rama.

“Unë i thashë Jared Kushnerit ‘po, patjetër, jeni të mirëpritur’. Pse? Sepse ai është një investitor amerikan, së bashku me investitorë të tjerë të rëndësishëm, dhe unë shoh interesat e vendit tim. Pse duhet të më interesojë se kush është vjehrri i tij?”, thekson ai.

Është një mbrojtje e mbështetur në ambicien e një vendi që prej dekadash përpiqet të tërheqë investime.

Rama këmbëngul se nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare dhe se negociatat kanë vijuar prej vitesh.

Ai thotë se shteti shqiptar po negocion pjesën që i takon në projekt dhe se vlerësimet mjedisore duhet të përcaktojnë nëse ai do të realizohet.

Kryeministri kundërshton idenë se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik janë domosdoshmërisht të papajtueshme.

“Mund të jetë shumë e dëmshme të mendosh se po ruan një zonë natyrore, ndërkohë që e lë atë të degradojë dhe të ndotet. Mund të jetë shumë i dëmshëm zhvillimi i keq, por mund të jetë shumë i mirë rigjenerimi i një zone të mbrojtur përmes zhvillimit”, shton ai.

Ai përmend rezultatet e qeverisë së tij në fushën e mjedisit, përfshirë zgjerimin e sipërfaqeve të mbrojtura në më shumë se 20 për qind të territorit të vendit, moratoriumin 10-vjeçar të gjuetisë dhe kufizimet për shfrytëzimin e pyjeve.

Rama argumenton se Shqipëria ka nevojë për investime, vende pune dhe infrastrukturë, pas dekadash të tëra varfërie.

Megjithatë, vijat bregdetare dhe peizazhet natyrore janë gjithashtu ndër pasuritë më të mëdha të vendit.

Masat mbrojtëse për faunën e Sazanit dhe kushtet për aksesin publik në ishull janë elemente thelbësore për vlerësimin e premtimeve të qeverisë dhe investitorëve.

Bumi turistik tashmë po e transformon vendin. Kur Rama erdhi në pushtet, më pak se dy milionë turistë kalonin kufijtë e Shqipërisë çdo vit. Sot, sipas tij, kjo shifër ka kaluar 12 milionë. Vizitorët tërhiqen nga plazhet, malet, çmimet relativisht të përballueshme dhe ndjesia se po zbulojnë një vend që ende nuk është përfshirë plotësisht nga turizmi masiv.

Edhe ekonomia është zgjeruar.

Rama thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga më pak se 10 miliardë euro në rreth 30 miliardë euro brenda një dekade.

Megjithatë, kostoja e jetesës, së bashku me korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, vazhdojnë të nxisin protesta.

Kryeministri pranon se transformimi ekonomik sjell edhe rritjen e pritshmërive të qytetarëve.

Njerëzit që dikur kërkonin një rrugë të re, sot kërkojnë edhe rrugën që ende mungon.

Rama i referohet mendimtarit francez të shekullit XIX, Alexis de Tocqueville, për të shpjeguar pse përparimi ekonomik nuk sjell domosdoshmërisht kënaqësi.

Ai kishte vënë në dukje se përmirësimi i kushteve të jetesës mund t’i bëjë njerëzit gjithnjë e më të vetëdijshëm jo për atë që kanë fituar, por për atë që ende u mungon.

“Njerëzit nuk pyesin më a ka ndryshuar Shqipëria? Sot njerëzit pyesin ku jam unë në këtë ndryshim? Çfarë përfitoj unë prej tij?”, thotë ai.

Rama pranon se një vend mund të bëhet më i pasur dhe më tërheqës për investitorët e huaj, ndërkohë që një pjesë e qytetarëve mund të ndihen të përjashtuar nga përfitimet e këtij zhvillimi.

Rritja ekonomike, sipas tij, duhet të përkthehet përfundimisht në mirëqenie më të shpërndarë për të gjithë shoqërinë.

Korrupsioni, liria e medias, pavarësia e gjyqësorit dhe të drejtat e grupeve vulnerabël mbeten gjithashtu shqetësime legjitime.

Konkurrenca politike është reale, por polarizimi dhe dominimi i figurave të konsoliduara politike e kanë bërë ndonjëherë të vështirë zhvillimin e institucioneve me pavarësinë që pritet nga një demokraci e pjekur evropiane.

Për Ramën, ambicia më e madhe mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Duam të anëtarësohemi tani, por nuk do ta ndryshojmë kurrë mendjen për anëtarësimin, edhe nëse Bashkimi Evropian do të zhdukej. Do ta krijojmë në Tiranë”, deklaron ai.

Rama e sheh Evropën si një projekt paqeje, sigurie dhe bashkëpunimi, dhe jo thjesht si një marrëveshje financiare.

“Ne vijmë nga një histori ku kemi qenë të detyruar të jetojmë nën pushtete, perandori dhe regjime. Nuk kemi qenë kurrë në gjendje të zgjedhim”, shton ai.

Qëndrimet e tij për Brexit-in janë, siç pritej, të pakompromis.

Ai citon Tony Blair, të cilin e konsideron një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e tij politik. Rama beson se BM votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian pa pasur një ide të besueshme se çfarë do të vinte në vend të anëtarësimit.

“Nuk është ajo që mendoj unë”, thotë ai, kur pyetet nëse Brexit ishte një gabim.

“Është ajo që ndodhi më pas, e cila po e dëshmon këtë çdo ditë”, shton pas pak.

Rama vlerëson se qeverisja e New Labour nën drejtimin e Tony Blair ishte një burim frymëzimi për vendimin e tij për t’u bërë lider politik.

“Nëse Tony Blair dhe New Labour nuk do të kishin ekzistuar, ka shumë mundësi që unë të mos isha frymëzuar për t’u bërë lider partie”, thotë Rama.

Ai përmend transformimin e Partisë Laburiste nga Blair, qasjen pragmatike dhe përpjekjen për të kapërcyer ndarjet tradicionale mes së majtës dhe së djathtës.

“Reformat transformuese për BM ishin fantastike. Veçanërisht gjuha e New Labour, qasja pragmatike, risia e të shkuarit përtej së majtës dhe së djathtës, kapërcimi i ideologjisë”, shton ai.

Me kalimin e kohës, dy liderët u bënë miq.

Rama kujton një udhëtim në Londër, së bashku me drejtorin e tij të ri të komunikimit, për t’u takuar me Alastair Campbell, me të cilin kishin vendosur kontakt përmes Facebook-ut.

Udhëtimi me taksi dukej se zgjaste pafundësisht.

Rama filloi të shqetësohej se mos po mashtroheshin nga shoferi, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Por, në fund, ata mbërritën në shtëpinë e Campbell.

Rama e quan atë me përkëdheli “Princi i Errësirës”, nofkë që zakonisht i atribuohet Campbellit dhe bashkëpunëtorit të tij në strategjitë politike, Peter Mandelson.

“Pjesa më e bukur e politikës është se ajo më ka mundësuar të njoh njerëz të jashtëzakonshëm dhe të krijoj miqësi me njerëz si Tony Blair dhe Alastair Campbell, të cilët do të kisha paguar vetëm për t’i parë, pa e imagjinuar se do të bëhesha mik me ta”, shton ai.

Rama është krenar për këtë marrëdhënie.

Ai beson gjithashtu se periudhat e gjata në pushtet mund të jenë të dobishme për vendet demokratike, pasi u mundësojnë qeverive të realizojnë projekte që përndryshe mund të braktiseshin nga administratat e njëpasnjëshme.

Si shembuj, ai përmend Margaret Thatcher, Helmut Kohl dhe Angela Merkel.

Ai bën shaka duke thënë se, si socialist, ndoshta nuk duhet t’i lavdërojë të gjithë.

Humori dhe arti i tij shfaqen sërish gjatë bisedës.

“Unë jam artisti më i mirë mes kryeministrave dhe këtë nuk mund të ma marrë askush. Dhe jam kryeministri më i mirë mes artistëve, dhe këtë nuk mund të ma mohojë askush”, thotë Rama.

Lapsat me ngjyra mbi tavolinën e tij janë një kujtesë se, edhe mes lodhjes dhe burokracisë së qeverisjes, ai dëshiron të ruajë lirinë për të vizatuar, eksperimentuar dhe menduar në mënyrë vizuale.

Ka një ndryshim të jashtëzakonshëm mes Shqipërisë së fëmijërisë së tij dhe vendit që ai drejton sot.

Një komb që dikur ishte i izoluar nga bota, sot po tërheq miliona vizitorë, investime ndërkombëtare dhe vëmendjen e disa prej individëve më të pasur në botë.

Transformimi është ende larg përfundimit dhe pothuajse të gjithë përmendin korrupsionin si një problem të rëndësishëm.

Nëse faza e ardhshme e zhvillimit do të arrijë të sjellë mirëqenie më të gjerë, të mbrojë pasuritë natyrore të vendit dhe të forcojë institucionet demokratike, kjo do të jetë matësi i vërtetë i trashëgimisë politike të Ramës.

Për momentin, lapsat me ngjyra mbeten mbi tavolinën e tij.

Jashtë, Shqipëria po ndryshon me një ritëm të jashtëzakonshëm.

Rama është i vendosur të drejtojë këtë ndryshim dhe të sigurojë që vendi i tij më në fund të zërë vendin që i takon në Evropë.

Sa i përket Nigel Farage, ai tashmë është paralajmëruar.

Disa mallkime politike, me sa duket, nuk duhen marrë lehtë./ a.jor.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.