Rama: “Prania Besnike” çdo të premte në orën 17:00, nuk do të ndryshojë për sa kohë jam kryetar i PS-së
Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së se çdo të premte, në orën 17:00, do të nisë “Prania Besnike”, një proces që, sipas tij, do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës dhe nuk do të bëhet gjithmonë për sa kohë ai do të jetë kryetar i Partisë Socialiste.
Rama tha se nisma synon të afrojë përfaqësuesit me qytetarët dhe ta kthejë dëgjimin e tyre në një detyrim.
“Prania Besnike vendos që qytetari duhet ta dijë kur dhe ku mundet ta gjejë përfaqësuesin e vet, në të njëjtin vend, me të njëjtën orë, me një kalendar të publikuar përpara. Dhe premtja e kësaj jave, në orën 5, është fillimi i një procesi të pranisë në të gjithë territorin e Republikës, që nuk do të ndalet asnjë të premte dhe nuk do të ndryshojë orë, derisa unë të jem kryetari i PS-së. Kur unë të mos jem, zgjidheni, bëjeni, por sa të jem unë, çdo të premte, në orën 5, do të jemi aty ku e kërkon Prania Besnike. Jo për të bërë mbledhje. Prania Besnike nuk është mbledhje, nuk është takim kur rrinë disa njerëz e ne rrimë para tyre, ata flasin e ne më pas flasim. Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët, që do të thotë që kushdo të qajë hallin e tij, vjen në atë orë, në atë vend dhe rri e pret kur do të ulet në tryezë përballë përfaqësuesve që do t’i thonë: “E ke gabim.” Thjesht do të shënojnë çfarë robi i Zotit flet. Dhe Prania Besnike nuk pranon kamera. Prania Besnike pranon fotografi në fillim të takimit, vetëm me miratimin e të pranishmëve dhe pa ekspozuar fytyrat e tyre. Prania Besnike refuzon përkatësinë partiake. S’ka rëndësi i kujt partie je, për kë ke votuar. Asnjë problem nëse ke qenë kundër PS-së në fushatë. Nëse ti do veshët tanë, veshët tanë do të jenë aty çdo të premte, në orën 5. Besa për ne është besim, empati, shërbim dhe angazhim. Çdo i pranishëm në këtë sallë, këto duhet t’i bëjë vijë, të sjellë besimin, empatinë, shërbimin dhe angazhimin, ndërsa Prania Besnike nuk është kalendar elektoral, as kalendar organizativ, as kalendar thjesht partie, pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim. Ne kemi qenë kudo, në takime, në çdo pjesë të hartës, më shumë se askush, por ne kemi munguar në pikën e hallit të qytetarit, sepse nuk matet distanca, por sa të hapur janë veshët kur qytetari flet”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.