Rama prezanton “Flamingo Mirror”: Dokumentet dhe negociatat për projektet e Sazanit dhe Pishë Poro-Nartë do të bëhen publike
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se së shpejti do të publikohet komponenti i parë i platformës “Pasqyrë Albania”, që do të jetë “Flamingo Mirror”, i cili do të shërbejë si një pasqyrë publike për dokumentet dhe informacionet që lidhen me çështje me rëndësi të veçantë.
Gjatë takimit me grupin parlamentar dhe kabinetin qeveritar, Rama tha se investimet e planifikuara në Sazan dhe Pishë Poro-Nartë do të jetë ndër temat e para që do të pasqyrohen në këtë platformë.
Sipas tij, qytetarët do të kenë mundësi të aksesojnë dokumentet përkatëse, të dhënat e procesverbaleve, statusin e negociatave, referencat ligjore dhe informacionet që lidhen me projektet.
“Së shpejti, çështje javësh, shfaqja e parë e Pasqyrës, sepse është një punë goxha e madhe që po bëhet, që do të jetë e disponueshme për të gjithë do të jetë një komponent i saj i cili quhet “flamingo mirror” ku do të ekspozohen të gjithë aspektet e mundshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë. Në rastin konkret, tema e Sazanit dhe e Nartë Pish Poros, jo Nartë Vjosës, nuk ka Nartë Vjosë, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatës, me të dhënat e procesverbaleve, me statusin e negociatave, me referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe do të pasqyrohet hap pas hapi me projektin, studimin mjedisor dhe gjithçka. Kushdo mund të futet aty dhe të gjej gjithçka që lidhet e temën”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi “Flamingo Mirror” si një “pasqyrë aktive”, e cila, përveç publikimit të informacionit, do të synojë t’u përgjigjet edhe pyetjeve të qytetarëve lidhur me çështjet e trajtuara.
“Flamingo Mirror është një pasqyrë aktive, është aty për tju përgjigjur pyetjeve dhe nëse ka diçka që nuk gjendet, Flamingo Mirror ose duhet ta plotësojë ose të japë përgjigje sepse nuk gjendet aty dhe në këtë mënyrë do të ecim për çdo çështje që kanë një rëndësi të veçantë. Për çdo projekt që shpenzohet një shumë sado e vogël nga taksat e qytetarit, do të jetë në pasqyrë”, theksoi ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.