Politika

Rama: Reforma, autonomi universitetit. Qeveria, asnjë përfshirje në zgjedhje

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar të martën se, qeveria e tij, edhe në kuadër të reformës në arsimin e lartë, nuk do të bëjë asnjë ndërhyrje në botën akademike.

Duke folur në përurimin e rrugës së ristrukturuar pranë Korpusit, Rama ka nënvizuar se, çështjet e brendshme të universitetit do të jenë përgjegjësi vetëm e rektorit dhe stafit akademik.

“Kemi bërë një reformë të arsimit të lartë, në bazë të të cilës autonomia është e garantuar. Por autonomia të jep edhe më shumë përgjegjësi. Qeveria do financojë atë që duket nga jashtë, rektori me autonominë e vetë atë që duket nga brenda. E them këtë për studentët, që kur të fillojnë punimet, sido që të shkojë puna, unë do reagoj nëse nuk më pëlqen diçka nga jashtë. Për gjërat nga brenda, drejtojuni rektorit”, ka deklaruar Rama.

Shefi i qeverisë ka vlerësuar se, ky është një moment i rëndësishëm i rrugëtimit të arsimit të lartë dhe ka theksuar se, “nëse reforma nuk do të kishte kontestatorë, atëherë nuk do të ishte reformë”.

“Madje, ka patur më pak kontestatorë se ç’mund të kishte. Kemi bërë atë që universiteti të mos jetë më në atë fazë të ndërmjetme, si rifuxho për shumë të rinj, që ndër vite nuk iu ofrua asnjë alternativë tjetër”, ka thënë Rama.

Më tej ai ka prekur edhe zgjedhjet që do të zhvillohen në Universitetin e Tiranës dhe fakultete, duke mohuar çdo përfshirje të qeverisë së tij apo Partisë Socialistë në zgjedhjen e kandidatëve.

“Autonomia është edhe zgjedhja e lirë e drejtuesve në universitet dhe këtu përgjegjësia është e atyre që zgjedhin, brenda rruzullit të botës universitare. Lidhur me procesin, ankimimet kanë qenë zero. PS nuk ka ndërhyrë në asnjë moment dhe nuk ka vënë gishtin për të orientuar apo influencuar votën për një kandidat. Nuk ka kandidat të PS në asnjë nga garat që zhvillohen në gjithë rruzullin e botës universitare shqiptare. Janë kandidatë të universitetit, fakultetit që përfaqësojnë vetëveten”, ka thënë Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button