Rama rikthen thirrjen për dialog, vendos sërish karriget para Kryeministrisë: Dhuna nuk justifikohet nga asnjë arsye
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me protestuesit, duke vendosur sërish karrige përpara godinës së Kryeministrisë, të shoqëruara me fletë ku ftohen qytetarët dhe grupet e ndryshme të shoqërisë të ulen në dialog për shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thekson se qytetarët mund të kenë shumë arsye për të protestuar, por sipas tij, asnjë prej tyre nuk mund të justifikojë aktet e dhunës.
“Ka një mijë e një pakënaqësi, një mijë e një halle, një mijë e një probleme. Mund të ketë edhe një mijë e një arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun“, shprehet Rama.
Kryeministri nënvizon se dialogu duhet të zhvillohet mes njerëzve që, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, ndajnë të njëjtin atdhe dhe të njëjtin objektiv për përmirësimin e vendit.
“Për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe, që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët. Mes njerëzish që duan të njëjtën gjë; si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë”, deklaron ai.
Duke iu referuar ngjarjeve të ditëve të fundit, Rama thekson se e drejta për të protestuar është e padiskutueshme, por shton se dhuna mbetet një vepër e dënueshme me ligj.
“E drejta e protestës është e pamohueshme, dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës, sot dialogu është këtu përsëri”, shprehet kryeministri.
Më tej, ai deklaron se dora e tij mbetet e shtrirë për të gjithë ata që kanë mendime të ndryshme nga qeveria, ndërsa thekson se përmirësimi i kushteve të jetesës dhe zgjidhja e problemeve kërkojnë punë dhe investim të të ardhurave aty ku ka më shumë nevojë.
“Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë. Çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më mirë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shumë dhe më shpejt, bëhet me punë dhe me të ardhurat e krijuara nga puna, duke i çuar ato atje ku problemet kërkojnë zgjidhje”, tha Rama.
Në fund të mesazhit të tij, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës, ndërsa paralajmëroi se çdo person i përfshirë në episode të tilla do të përballet me ligjin.
“Distancohuni nga dhuna dhe, nga ana tjetër, çdo dhunues do të marrë përgjigjen që meriton”, përfundon Rama në mesazhin e tij.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.