NJU JORK – OKB: Nevojiten masa urgjente për të frenuar ngrohjen globale
NJU JORK, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Bota duhet të ulë ndjeshëm dhe me shpejtësi çlirimin e gazeve që shkaktojnë ngrohjen globale, për të kufizuar rritjen e temperaturave dhe për t’u rikthyer në objektivin prej 1,5 gradësh Celsius deri në fund të shekullit, paralajmëruan shkencëtarët e Kombeve të Bashkuara.
Në raportin vjetor për hendekun mes emetimeve të gazeve dhe objektivave klimatike, Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP) vlerëson se, edhe në skenarin më optimist, ngrohja globale mund të arrijë në 1,7–1,8 gradë Celsius në mesin e këtij shekulli, përpara se temperaturat të rikthehen në ose nën 1,5 gradë deri në vitin 2100.
Sipas raportit, mundësia që ky objektiv të arrihet është rreth 50%.
Për të ndjekur këtë rrugë, emetimet globale duhet të ulen me 18% deri në vitin 2030, me 45% deri në vitin 2035 dhe me 69% deri në vitin 2040, krahasuar me nivelet e vitit 2025.
Megjithatë, planet aktuale klimatike të vendeve parashikojnë ulje shumë më të kufizuara, prej 5–8% deri në vitin 2030 dhe 11–15% deri në vitin 2035.
Sipas UNEP-it, nëse vazhdojnë politikat e tanishme, temperatura mesatare globale mund të rritet me 2,8 gradë Celsius gjatë këtij shekulli.
Nëse vendet përmbushin angazhimet e tyre klimatike, kjo rritje mund të kufizohet në 2,6 gradë, ndërsa edhe në skenarin më optimist, që përfshin objektivat shtesë për arritjen e emetimeve neto zero, ngrohja parashikohet të arrijë në 2,1 gradë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres theksoi se tejkalimi i kufirit prej 1,5 gradësh nuk do të thotë se përpjekjet për të frenuar ndryshimet klimatike kanë dështuar.
“Ne ende mund ta mbajmë tejkalimin sa më të vogël dhe sa më të shkurtër të jetë e mundur, si dhe t’i rikthejmë temperaturat nën 1,5 gradë deri në fund të shekullit”, deklaroi Guterres.
Kufiri prej 1,5 gradësh është një nga objektivat kryesorë të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, të miratuar në vitin 2015.
Sipas shkencëtarëve, tejkalimi i tij rrit rrezikun e valëve të të nxehtit, thatësirave, zjarreve masive dhe përmbytjeve më të shpeshta e më të fuqishme.
Ngrohja e mëtejshme mund të shkaktojë gjithashtu dëme të pakthyeshme në sistemet natyrore, përfshirë shkatërrimin e shkëmbinjve koralorë, shkrirjen e tokave të ngrira prej kohësh dhe çrregullimin e rrymave të mëdha oqeanike.
Drejtoresha ekzekutive e UNEP-it, Inger Andersen paralajmëroi se çdo rritje shtesë e temperaturave dhe çdo vit i kaluar mbi kufirin prej 1,5 gradësh shton rreziqet për njerëzit dhe mjedisin.
Ajo u bëri thirrje qeverive të marrin masa urgjente për të ulur ndotjen në mënyrë të shpejtë dhe të qëndrueshme, duke theksuar se përparimi në përdorimin e energjisë së rinovueshme, tregon se reduktimi i emetimeve është i mundur.
Raporti nënvizon se, megjithëse janë shënuar përparime që nga miratimi i Marrëveshjes së Parisit, përpjekjet aktuale mbeten të pamjaftueshme për të përmbushur objektivat klimatike globale. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.