Politika

Rama shpërndan 150 certifikata pronësie në Novoselë

Qeveria ka nisur procesin e dhënies së titujve të pronësisë për tokën në fshat, duke plotësuar një nga premtimet e saj. Kreu i qeverisë ka qenë i pranishëm në Novoselë të Vlorës, ku ka shpërndarë 150 certifikatat e para të pronësisë mbi tokën.

“Koha, që nga dita që kemi marrë këtë zotim, është 2 vite e gjysmë por, nëse do t’i kërkoja drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekës të tregonte të gjithë kalvarin për të përgatitur këtë proces, do të duhej të rrinim këtu deri në mbrëmje, pasi situata që trashëguam edhe në hipotekë ishte një situatë katastrofike. Dua t’u jap një mesazh të gjithë fermerëve, të gjitha familjeve që jetojnë prej vitesh me tokën, por që edhe pse e kanë punuar atë, ende nuk e kanë marrë në zotërim, se ka ardhur momenti i tyre për të marrë një shërbim plotësisht falas nga ana e shtetit, përmes një bashkëpunimi tanimë të ndërtuar plotësisht mes bashkive, njësive administrative dhe hipotekës. Atë që po bëjmë me sukses për legalizimet, do ta bëjmë me po kaq sukses edhe për tokën bujqësore, pra certifikatat e pronësisë për tokën bujqësore falas”, u shpreh kryeministri Rama.

Marrja e titullit të pronësisë është një proces jetik, vonesa e të cilit ka gjeneruar edhe një sërë problematikash të tjera në zhvillimin bujqësor e rural. Ky proces krijon kornizën ligjore për të zhvilluar pronën, për ta shitur tokën në pronësi, për ta dhënë me qira apo trashëguar.

Po ashtu, marrja e titullit të pronësisë krijon kushte të reja për fermerët. Ajo do t’i mundësojë fermerit të përfitojë nga programet e ndihmës shtetërore në bujqësi, apo për të hyrë në një marrëdhënie të re me bankat për kreditimin e aktivitetit të tyre. Sikundër të ardhurat e përfituara nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore, nga një fermer i regjistruar te një fermer tjetër, janë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Gjatë vizitës së tij në Novoselë, kryeministri Rama inspektoi edhe punimet për argjinaturën që do të mbrojë nga përmbytjet dhe erozioni rreth 5 mijë hektarë tokë dhe që do t’u shërbejë rreth 12 mijë fermerëve të zonës. Pas përmbytjeve të shkurtit të këtij viti, në bashkëpunim me donatorët u ndërmorën projekte rehabilitimi dhe ndërtimi të infrastrukturës mbrojtëse, e cila është realizuar në 80% të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button