Qeveritare

Rama: Si e imagjinoj unë Shqipërinë time!

“Kam një vizion për vendin tim… prandaj dua të sjell një ndryshim për Shqipërinë.” “Jo të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë – por aftësitë e mia më ndihmojnë në punën time. Zyra ime është atelieja ime.”

Këto ishin disa nga fjalët më interesante të fjalimit të kryeministrit, Edi Rama në samitin “Creative Time”, i mbajtur në Stokholm.

rama

Rama duke folur si kryeministër artist, u shpreh se ai nuk ka ndryshuar por është i njërit person që bën gjera të ndryshme.

“Akoma më pëlqen të pikturoj, vetëm se kam më pak kohë. Por edhe në politikë përpiqem të pikturoj një kanavacë. Vizualizoj sesi dua që të jetë vendi ynë, të ndihet, sesi dua ta ndryshoj atë me hapin e botës.”

Edhe pse sot ai është kryeministër i Shqipërisë, Rama shprehet se, artisti brenda tij nuk është asnjëherë i qetë.

“Dikur takova në zyrën time dikë që u ofendua jashtë mase sepse unë vizatoja ndërsa ai fliste.

Por vizitori që u ofendua sepse unë vizatoja, mendonte se unë nuk isha i interesuar në atë që thoshte. Më tha: “Erdha këtu sepse kam një problem, ndaj mos vizato ndërkohë që unë të flas”.

Unë i kërkova ndjesë dhe ula lapsin. Diskutuam çështjen e tij dhe ai u largua.

Herën tjetër që e takova, u kujtova sesi ishte ofenduar dhe e shtyva vazon me lapsa deri në fund të tavolinës, dhe nuk vizatova.

Por ai prapë nuk qe i kënaqur. Në fund tha: “Më duket sikur nuk po më dëgjon. Më shikon, por nuk je këtu.”

Dhe, unë i thashë: “E shikon! Më lejo që të vizatoj nëse do që të përqendrohem, nëse do që të të dëgjoj dhe të jem vetvetja”.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:  

Të gjithë, qofshim një vend apo njeri, jemi produkt i të kaluarës sonë, dhe ne mësojmë nga ajo; Jemi një produkt edhe i karakterit tonë dhe i ambicieve tona.

Unë tani jam Kryeministër.

Unë u bëra ky që jam nga ai që kam qenë. Jam i njëjti person që bën gjëra të ndryshme.

Kam qenë një artist. Akoma më pëlqen të pikturoj, vetëm se kam më pak kohë. Por edhe në politikë përpiqem të pikturoj një kanavacë.

Vizualizoj sesi dua që të jetë vendi ynë, të ndihet, sesi dua ta ndryshoj atë me hapin e botës.

Nuk po them që të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, largqoftë. Por është mirë nëse politika është një hapësirë që mbledh njerëz me bakgrounde të ndryshme.

Nga Reagan që ishte aktor, tek Kryeministri suedez që ishte saldator, shumëllojshmëria e eksperiencave është mbresëlënëse. Por edhe kur shumëllojshmëria në backgroudin profesional nuk është kaq mbresëlënëse. Margaret Thacher ishte kimiste, Angela Merkel doktorë në kimi fizike, penelata e tyre në tablonë e tyre të madhe është e shumëllojshme dhe mbresëlënëse.

Besoj se aftësitë që kemi në një fushë mund të ndihmojnë ose të pengojnë në një tjetër, edhe pse artisti brenda meje nuk është asnjëherë i qetë.

Dikur takova në zyrën time dikë që u ofendua jashtë mase sepse unë vizatoja ndërsa ai fliste.

Vizitorët e mi janë të mësuar me këtë gjë. Unë kështu bëj gjithmonë. Gjithashtu, shkarravis gjithandej axhendën e punës. Tavolina e punës sime është në një farë mënyre atelieja ime. Por vizitori që u ofendua nga sepse unë vizatoja, mendonte se unë nuk isha i interesuar në atë që thoshte.

Më tha: “Erdha këtu sepse kam një problem, ndaj mos vizato ndërkohë që unë të flas”.

Unë i kërkova ndjesë dhe ula lapsin. Diskutuam çështjen e tij dhe ai u largua.

Herën tjetër që e takova, u kujtova sesi ishte ofenduar dhe e shtyva vazon me lapsa deri në fund të tavolinës, dhe nuk vizatova.

Por ai prapë nuk qe i kënaqur. Në fund tha: “Më duket sikur nuk po më dëgjon. Më shikon, por nuk je këtu.”

Dhe, unë i thashë: “E shikon! Më lejo që të vizatoj nëse do që të përqendrohem, nëse do që të të dëgjoj dhe të jem vetvetja”.

Hera e parë në jetën time që hyra në një ndërtesë qeveritare në Shqipëri ishte kur u bëra Ministër i Kulturës.

Ndodhi në një çast, në rrethana të jashtëzakonshme. Jeta merr kthesa të ndryshme dhe kjo ishte një nga ato që nuk e prisja, por kjo është një tjetër histori.

Ishte viti 1998 dhe duke iu përshtatur kësaj jete të re, mendova se kisha varrosur  piktorin që ishte brenda meje.

Por pastaj, dy vite më vonë, kandidova për Kryetar Bashkie i Tiranës dhe fitova. Pashë një qytet që përballej me shumë sfida dhe që kishte shumë pritshmëri nga fushata ime.

Në atë çast ndjeva impulsin politik – dëshirën për t’u ofruar njerëzve një ardhme më të mirë – të shkrirë me impulsin artistik.

Ideova një plan për të hedhur ngjyra mbi ndërtesat e zymta dhe të pajeta të qytetit në rrugën hyrëse kryesore.

Për mua, kjo qe art si aksion politik me ngjyra dhe jo me fjalë dhe legjislacion.

Kur pikturuam ndërtesën e parë, duke hedhur një portokalli të ndezur mbi grinë e zymtë, ndodhi diçka e paimagjinueshme. U bllokua trafiku dhe njerëzit u mblodhën sikur të ishte vendi i një aksidenti spektakolar ose sikur të kishin parë papritur një pop star.

Një zyrtar francez i BE-së i ngarkuar për fondet nxitoi të bllokonte ngjyrosjen.

Bërtiti se do bllokonte financimet.

“Po pse?” – e pyeta.

“Sepse ngjyrat që keni porositur nuk përmbushin standardet europiane” – u përgjigj.

“Epo”, i thashë, “as objektet përreth nuk i përmbushin standardet europiane, edhe pse kjo nuk është ajo që duam, por ne do i zgjedhim vetë ngjyrat, sepse kjo është pikërisht ajo që duam. E nëse nuk na lejoni të vazhdojmë me punën tonë, unë do mbaj një konferencë për shtyp në këtë çast, në këtë rrugë, dhe do u them njerëzve se censorët e vjetër të komunizmit janë mishëruar si financierë të BE-së.”

Ai u duk disi i shqetësuar dhe më kërkoi një kompromis.

Po unë i thashë jo. Më vjen keq zotëri, por kompromisi në ngjyra është gjithnjë gri dhe ne kemi aq shumë gri sa na mjafton për një jetë të tërë. Tani është koha për të ndryshuar.

Ngjyrat jeshile dhe të verdha, të purpurtat dhe portokallitë që ne hodhëm anembanë kryeqytetit tonë ish komunist nuk do i bënin njerëzit më pak të uritur ose më të begatë.

Po ky veprim i parë i madh duhet të ishte diçka që t’u thoshte atyre se vendi ku jetonin ishte hapësira e tyre. Ndaj, këto ngjyra i bënë ata të ndihen më mirë për vendin ku jetonin. I bënë ata të shikojnë mundësi në një hapësirë ku dukej sikur nuk ishte asnjë hapësirë. I bënë ata të shikojnë se ndryshimi mund të vijë në forma të ndryshme edhe pse buxheti i qytetit është zero presje diçka.

Kur e kaloja shumicën e kohës si artist, kryesisht në Paris, isha kundër politikës, të paktën kundër asaj shqiptare dhe ballkanase. Besoj se shumica e artistëve kështu janë.

Por me kalimin e viteve si kryetar bashkie, dhe më vonë si kryetar partie dhe si Kryeministër kuptova dhe u binda se politika në formën më të mirë të saj është një aktivitet i denjë dhe kuptimplotë, që e bën botën një vend më të mirë.

Dhe arti bën të njëjtën gjë, në forma të ndryshme. Unë jam shumë i lumtur që kam qenë në një pozicion të tillë që më ka lejuar t’i bashkoj të dy.

Njëherë diskutova me dikë nga Banka Botërore.

Kur i thashë drejtorit të Bankës Botërore, shume vite më parë, se doja që të financonin sallën e re të pritjeve ku qytetarët merrnin shërbime publike, si pjesë e fushatës kundër korrupsionit, ata nuk më kuptuan. Ishin të habitur kur u thashë se një hapësirë publike dinjitoze do ishte një kontribut i madh kundër korrupsionit.

Njerëzit prisnin në radhë të gjata nën diell e shi për të marrë një certifikatë, ose thjesht një përgjigje nga dy sportele të vogla të dy kioskave metalike.

Përgjigjen e merrnin nga një zë që vinte nga një vrimë e errët dhe, nga ana tjetër, një dorë misterioze u merrte dokumentet duke kërkuar ryshfet nëpër dokumentet e vjetra.

Sistemi punonte për korrupsionin jo për njerëzit, të cilët nëse donin të evitonin radhën duhet të paguanin ryshfet.

Ne mund të ndryshonim punonjësit e padukshëm brenda kioskave, çdo javë, por nuk mund të ndryshonim këtë praktikë korruptive.

Fatmirësisht, e binda Bankën Botërore që të financonte këtë ide.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button