Rama: Vende pune ka, por nuk ka profesionistë
Kryeministri Edi Rama, duke folur në një aktivitet në Vaqarr për nxitjen e punësimit ditën e mërkurë, theksoi se në Shqipëri “vende pune ka, nevojë për punë ka, por nuk ka profesionistë që t’i përgjigjen kësaj nevoje”.
“Nevojës për tornitor, elektriçist apo montues panelesh nuk mund t’i përgjigjen të papunë që nuk kanë haberin nga zanati apo kanë diplomë për juristë. Ky është problemi: kemi mbjellë në vite të tëra një farsë, duke iu hapur austostrada për të hyrë në universitete me vend parkimi për të gjithë dhe diploma pa vlerë për të gjithë. Diploma thotë që je jurist, por edhe gjysmë-analfabet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “nëse politika dhe rendja qorrazi pas votave, duke ndërmarrë një rrugë si ajo e eliminimit të sistemit të arsimit profesional dhe krijimit të një sistemi piramidal universitetesh, nuk do të kishte bërë këtë krim, por do të ishte reformuar sistemi i arsimit profesional, sot do të kishim shumë më pak të papunë dhe shumë më tepër investime private, vendase dhe të huaja”.