Kronika

Kodheli pret ministren e Mbrojtjes së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, deklaratat përkatëse

Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli ka pritur dje në një takim zyrtar ministren e Mbrojtjes së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta znj. Jeanine Hennis-Plasschaert, e cila po zhvillon një vizitë njëditore në vendin tonë. Fillimisht ministrja Kodheli i uroi mirëseardhjen në vendin tonë znj. Hennis-Plasschaert dhe e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i saj i ka dhënë Shqipërisë para dhe pas anëtarësimit në NATO.  Dy bashkëbisedueset shprehën vendosmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, në mënyrë të veçantë në fushën e arsimimit dhe stërvitjeve të përbashkëta. Gjithashtu temat kryesore të takimit mes znj. Kodheli dhe znj. Hennis-Plasschaert ishin mjedisi i ri i sigurisë në Evropë, ngritja e Qendrës së Ekselencës së NATO për studimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj dhe respektimi i barazisë gjinore, sidomos në radhët FA. Një vend të veçantë në këtë takim zuri pjesëmarrja e Shqipërisë në misionin e NATO në detin Egje, për të ndihmuar lidhur me krizën e migracionit. Në këtë kuadër ministrja Kodheli shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të kontribuuar në këtë mision, i cili drejtohet pikërisht nga Mbretëria e Vendeve të Ulëta.

Deklarata  e ministres të Mbrojtjes Mimi Kodheli

Kjo vizitë vjen vetëm pak ditë pas takimit që zhvillova me z. Fallon, sekretar të Shtetit të Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, në vazhdën po ashtu të vizitave të veçanta të një rëndësie realisht të madhe për vendin tonë. Ne jemi të vendosur ta thellojmë akoma më shumë bashkëpunimin dypalësh në mënyrë të veçantë në fushën ushtarake, stërvitjeve të përbashkëta, të arsimimit, misioneve e kështu me radhë.  Qëndrimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe sigurisht ai i qeverisë shqiptare vijon të jetë i palëkundur përsa i përket angazhimit të Aleancës në rritjen e kapaciteteve të parandalimit dhe të mbrojtjes së kufijve të NATO, angazhim ky i marrë në Samitin e fundit në Varshavë. Mjedisi i ri i sigurisë, sfidat dhe kërcënimet e ndryshme me të cilat po përballemi gjatë kësaj periudhe për çdo ditë të punës dhe veprimtarisë sonë, na imponojnë në fakt që të eksplorojmë fusha të reja bashkëpunimi, të cilat sigurisht sjellin një mjedis më të sigurt. Për shembull, ngritja e Qendrës së Ekselencës kundër luftëtarëve të huaj, këtu në Shqipëri, e përmendur shpeshherë nga Ministria e Mbrojtjes dhe nga unë personalisht, si një nga arritjet më të mëdha historike, madje do të thosha që mbas anëtarësimit tonë në NATO, sepse do të jetë njolla e parë reale NATO në vendin tonë, është tashmë një realitet i prekshëm dhe në këtë drejtim, i kërkova koleges holandeze të na mbështesë me ekspertë në këtë fushë. Një nga temat e bisedimit tonë ishte edhe barazia gjinore. E sigurova zonjën ministre që Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë po bën përpjekje të vazhdueshme në respektim të implementimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në promovimet e fundit për gradat në FA, 30% e tyre ishin gra dhe kjo është një shifër jo vetëm sasiore, por sigurisht edhe një arritje cilësore. Ne jemi zotuar t’i bashkohemi, sot që flasim, misionit NATO në detin Egje. Kjo është diçka e thënë edhe më parë prej nesh, për të ndihmuar lidhur me krizën migratore, një krizë me të cilën jo vetëm vendet që lagen nga deti Mesdhe, por i gjithë kufiri i NATO është i prekur dhe kjo, sigurisht që është për të parën herë që Shqipëria merr pjesë në një mision të tillë të NATO në ujërat ndërkombëtare dhe nën lidershipin e holandezëve besoj që do të jetë realisht një histori tjetër suksesi i misioneve tona në NATO. I shpreha mirënjohjen time koleges për mbështetjen e plotë që Mbretëria e Vendeve të Ulëta do të na ofrojë si një vend, jo vetëm lider në këtë mision, por si një vend i cili do të asistojë anijen tonë në këtë mision kaq të rëndësishëm.  Shqipëria ndërkohë vijon të jetë e gatshme të kontribuojë në përputhje me kapacitet e saj, si pjesë e zgjidhjes së koordinuar evropiane, si në mbështetje teknike ashtu dhe në atë financiare, por gjithsesi ne ju sigurojmë që pjesëmarrjet në këto misione do të vazhdojnë të jenë me paratë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë të bëjmë transparencë lidhur me mënyrën se si paratë e taksapaguesve shqiptarë harxhohen kur flitet për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.   Thellimi i bashkëpunimit rajonal, ashtu si dhe integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen euroatlantike vazhdon të mbetet një prioritet i vendit tonë. Ne kemi qenë mbështetës të bindur të politikës së dyerve të hapura të NATO dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, për aq kohë sa besojmë fort se anëtarësimi i vendeve tona kufitare, ballkanike në NATO dhe i të gjithë atyre vendeve që aspirojnë ta bëjnë këtë, sjell vetëm rritje të sigurisë të vendit tonë, sigurinë rajonale dhe mbarëbotërore.

Deklarata e ministres së Mbrojtjes së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta znj. Jeanine Hennis-Plasschaert

Ne sapo diskutuam që është një vend shumë i rrezikshëm aty jashtë. Ne përballemi me disa rreziqe në Lindje dhe e njëjta gjë në anën tjetër.  Ne gjithashtu ramë dakord për fushën e sigurisë dhe kjo është mënyra për të ecur përpara. Kjo është e rëndësishme sepse ne duhet të luftojmë për prosperitetin tonë, për sigurinë tonë, për lirinë tonë çdo ditë.
Jam shumë e kënaqur që jam këtu sot, pasi Shqipëria do të bashkohet me ne në detin Egje, dhe jam shumë krenare për të punuar me shqiptarët. Por gjithashtu jam shumë e vetëdijshme për faktin që është hera juaj e parë për të marrë pjesë dhe për të qenë aktivë në detin Egje.  Dua t’ju siguroj dhe njëherë se ne, holandezët, jemi gati të punojmë me ju. Diskutuam gjithashtu për qendrën e Ekselencës. Këtu kemi disa eksperienca specifike për shkak të përfshirjen tonë në luftë dhe për këtë jemi gati të punojmë me ju.  Jam e gëzuar që t’ju vë në dukje faktin që NATO do të punojë me ju për herë të parë dhe kjo është një gjë e mirë.  Në bazë te Rezolutës 1325 të dyja ne ministret, duke qenë femra, jam e bindur se do të vazhdojmë të punojmë që femrat të marrin pjesë në operacionet ushtarake, në negociatat për paqe.  Më lejoni të vazhdoj duke thënë se do të vazhdoj të bashkëpunoj me ministren dhe jam e mirënjohur për miqësinë tuaj. Besoj se në vitet e ardhme vendet tona do vazhdojnë të punojnë së bashku.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button