Raporti i kredisë lekë -valutë, shënon rritje progresive për monedhën vendave
Polikat e Bankës Qendrore po nxisin rritjen e portofolit të kredisë në lekë në raport me portofolin e kredisë në monedhe të huaj, duke shenuar rritje progresive dhe trend.
Sipas të dhënave zyrtare nga BSH-ja, raporti i kredisë në monedhë vendase me portofolin e kredisë në valutë është 40 me 60%. Pra, kredia në monedhën vendase përfaqëson 40% të portofolit total të kredisë, dhe ky është një trend rritës nëse e krahasojmë me raportin 20 me 80% që ka qenë në periudhat paraardhëse. Si rezultat i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, sot kemi një rritje të portofolit të kredisë në monedhën vendase, e cila më pas ndikon edhe në performancën e kredisë në periudhat e mëpasshme.
Kjo sepse kredia e dhënë në monedhën vendase për ata që kanë të ardhurat në lekë, do të shmangë dhe rrezikun e kursit të këmbimit në kthimin e kredisë, duke ndikuar kështu pozitivisht në performancën e portofolit të kredisë në të ardhmen. Për portofolin e kredisë në monedhë të huaj, i cili është kryesisht në euro, Banka e Shqipërisë nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në normën e interesit, pasi është Banka Qendrore Evropiane ajo që përcakton nivelin e euriborit dhe çmimi/niveli i kredisë në euro përcaktohet nga euribori dhe spread-i.
Në terma të përgjithshëm, Banka Qendore pret një rritje graduale të kredisë për pjesën e dytë të vitit 2015 dhe një rritje më progresive të nivelit të financimit në ekonomi dhe të kreditimit për vitet 2016 dhe 2017.