Bota

Reagime pas dëshmisë së prokurorit të posaçëm Robert Mueller në Kongres

Momenti i shumëpritur …

…Për këta të rinj që donin të ishin në sallë kur prokurori i posaçëm foli për herë të parë në publik, ia vlejti aq sa të flinin një natë më parë në korridoret e Kongresit.

Ata nuk ishin të vetmit në gjithë vendin që shpresonin që zoti Mueller do të mund të qartësonte debatin politik që ka përfshirë vendin.

Megjithëse si edhe herë të tjera, pati disa protestues, nuk ishte aspak një seancë e zakonshme për demokratët që kaluan natën, duke u përgatur për çdo lloj skenari. Rezultati?

“Mendoj se nuk ka diskutim se në këtë seancë pamë prova bindëse të pengimit të drejtësisë, kryer nga presidenti i Shteteve të Bashkuara në detaje të jashtëzakonshme nga prokurori i posaçëm”, tha anëtari demokrat i kongresit, David Cicilline.

Demokratët donin që detajet që u transmetuan drejtpërdrejt në gjithë vendin, të kontribuonin në argumentat pro hetimeve të zotit Trump dhe administratës së tij.

“Ai u përpoq të pengonte hetimin për pengimin e drejtësisë nga ana e tij. Pra presidenti na ka futur në një gjendje absurde, por tani këtë mund ta shohë gjithë vendi”, – tha Jamie Raskin, anëtar demokrat i Kongresit.

Por republikanët thonë se zoti Mueller, e keqësoi gjendjen.

“Mendoj se fakti që Robert Mueller nuk dukej se e zotëronte mirë raportin që mban emrin e tij, lë të kuptosh se nuk e kishte plotësisht të qartë se çfarë kishte në ato 448 faqe të raportit”, – tha anëtari republikan i Kongresit, Mark Meadows.

Ata akuzuan prokurorin e posaçëm se u ishte shmangur pyetjeve kyçe lidhur me pikënisjen e hetimit.

“Drejtori Mueller m’u duk i çorientuar, shpesh konfuz dhe shumë evaziv për pyetje elementare lidhur me aktivitetet e rusëve dhe ndërthurjen e interesave të tyre me njerëz të lidhur me demokratët dhe lëvizjen anti-Trump”.

Deri sot, mbi 90 demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë bërë thirrje për hapjen e procesit të shkarkimit. Një demokrate tha se dëshmia e zotit Mueller u dha votuesve informacion të nevojshëm.

“Nxjerr në pah shumë qëndrime presidenciale të papërshtatshme dhe në të kaluarën, gabimet presidenciale të një natyre penale kanë çuar në procesin e shkarkimit. Popullit amerikan do t’i duhet të vendosë nëse mund ta pranojë këtë lloj sjelljeje”, tha Mary Gay Scanlon.

Dëshmia e zotit Mueller është një pike kthese për ndërgjegjësimin e amerikanëve lidhur me krimet e zotit Trump, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Por hapja e procesit të shkarkimit mund të bëhet vetëm pasi rastet e hapura në gjykata t’u japin demokratëve gjithë informacionin e duhur.

“Nëse vendosim për një gjë të tillë, do të donim që të ishte bashkuese jo përçarëse për vendin, dhe prandaj duam që argumentat të jenë bindëse”, tha ajo.

Dhe ndërsa kanë mbetur vetëm dy ditë në sesionin veror të kongresit, një nismë për shkarkim nuk do të ndërmerret së shpejti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button