Reagon Hamilton pas zërave të fundit: S’kam kërkuar kurrë të zëvendësoj dikë në skuadër!
Piloti britanik i Ferrarit përpiqet të sqarojë pozicionin e tij, pas fjalëve se raporti i tij me Vasseur nuk është më ai i mëparshmi.
Lewis Hamilton, me një postim të gjatë në rrjetet sociale, kërkon të heshtë zërat në lidhje me një përpjekje të mundshme të tij për të ndryshuar figurat drejtuese të skuadrës. Zëra që kanë si referim Frederic Vasseur. Piloti britanik ka thënë publikisht se skuadra mund të administrohej më mirë në disa aspekte.
Reagimi i Lewis Hamilton vjen pak ditë pas garës së Madridit, ku kampioni u detyrua të tërhiqej për shkak të një problemi me frenat. Një ndalesë e rëndë, që ka kompromentuar më tej ecurinë në Botëror, ku favorit absolut është Kimi Antonelli.
“Kam parë disa lajme që qarkullojnë dhe dua të qartësoj diçka. Nuk kam kërkuar kurrë që të ndërrohet një pjesëtar i skuadrës sime, – thekson Hamilton. – Të gjithë njerëzit me të cilët punoj impenjohen maksimalisht çdo ditë dhe dedikimi i tyre na ndihmon të ecim përpara.
Përpiqem gjithmonë t’u jap forcë njerëzve, t’i ndihmoj të jenë versioni më i mirë i vetes. Ndoshta jo gjithmonë ia dal, por ky është qëllimi im dhe ajo që dua të bëj këtu. Punojmë të gjithë bashkë dhe kështu do të vazhdojmë”.
Shumë ferraristë, të hidhëruar nga zhgënjimi i radhës, kanë menduar menjëherë për Vasseur, pasi kanë lexuar postimin e Hamilton. Ditët e fundit është folur për qejfmbetje mes pilotit dhe drejtusit. Hamilton ka dashur t’i largojë këto zëra, por shumë gjëra varen nga paraqitja në pistë e Ferrarit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.