Reflektime nga rënia e Murit: “Deutschland, Deutschland!”
BETTINA LÜSCHER
Eshtë e kollajtë të thuash se e dije që do ndodhte, rënia e Murit të Berlinit. Por po të tregohesh i ndershëm, duhet të pranosh se as që e kishe idenë. Rënia e Murit? Bashkimi i Gjermanive? Tingëllonte e paimagjinueshme. Po, ne e dinim se Gorbaçovi kishte paralajmëruar homologët e tij gjermano-lindorë me një sentencë të vjetër: “Ai që vjen me vonesë, e dënon jeta”. E dinim që ishte perestrojka dhe glaznosti në ish perandorinë e së keqes. E dinim që gjermano-lindorët po bëheshin gjithnjë e më të guximshëm në kërkesat e trye për ndryshim. Por ai Mur i shëmtuar, që gjarpëronte nëpër lagjet e Berlinit, dukej i pamposhtshëm.
Ndoshta pas disa vitesh, pas disa dekadash, por jo tani. Në pasditen e vonë të 9 nëntorit 1989, zyrtari i qeverisë së Gjermanisë Lindore, Gynter Schabovski lexoi nga një copë e vogël letre, në një konferencë për shtyp, se dokumentat e udhëtimit nuk ishin më të nevojshëm për gjermano-lindorët që dëshironin të udhëtonin në perëndim. Ne gazetarët pamë me mosbesim njëri-tjetrin. Po ndodh ajo që mendojmë? Mund të largohet gjithkush? A është hapur Muri?
Nuk ndihej si një faze e re e Ostpolitikës. Nuk ishte një fazë e re e Luftës së Ftohtë. Ishte shumë më imediate. Shumë më e fortë. Gëzim. Hare. Lumturi. Kuriozitet. Konfuzion. Pasiguri. Frikë.
Gjatë javëve dhe muajve të mëparshëm, një lëvizje pakënaqësie qe bërë më e dukshme në Gjermaninë Lindore. Nisi me grupe të vegjël disidentësh, u ushqye nga kishat dhe shpërtheu në atë verë të nxehtë të 1989, me arratinë e qindra gjermano-lindorëve në ambasadat e Gjermanisë Perëndimore në bllokun lindor.
Nëse bota nuk e kish kuptuar se ndryshimi qe në ajër në Lindje, tashmë mund ta shihte në televizion. Hof, një qytet në anën perëndimore të kufirit gjermano-gjerman do të mbahej mend si një prej ndalesave të para që bëmë ne gazetarët, në turin tonë të shoqërimit të shembjes së perandorive socialiste, dhe të lulëzimit të demokracive të reja.
Treni i mbushur me refugjatë gjermano-lindorë mbërriti në stacionin e zymtë të Hofit – fytyra të lodhura shfaqeshin nga dritaret, duke fshirë lotët, duke përshëndetur me duar gazetarët, duke thirrur: “Deutschland, Deutschland.” Na u duk shumë e çuditshme të gjithëve ne, gjerrmano perëndimorëve që ndodheshim në atë platformë.
Deutschland, Deutschland? Ishte një tingull i ri, një thirrje e pazakontë, e dëgjuar ndoshta ndonjëherë në lojërat ndërkombëtare të futbollit, por jo kështu! Nuk ishim krejt të sigurtë se çfarë donte të thoshte: Liri? Një shtet, në vend të dy shteteve? Shpresë? Premtim? Apo një nacionalizëm i ri?
Një javë më vonë, Leipzigu ishte vendi që tronditi nga themelet qeverinë në Berlinin Lindor. Në fillim qindra, e më pas mijëra e deri dhjetëra-mijëra gjermano-lindorë marshuan për lirinë, për ndryshimin. Të armatosur me videokamera të fshehura, rrjetet televizivë perëndimorë zbritën çdo të hënë në atë qytet, duke filmuar ato momente pakënaqësie civile. Protestuesit ishin të jashtëzakonshëm. Protestuesit shihnin agjentët me veshje ngjyrë gri dhe thërrisnin: “Poshtë Stasi, poshtë Stasi… Stasi në minierat e qymyrit”. Nuk ishin më të frikësuar.
Ishte e guximshme, rebeluese, frymëzuese. Ne nxituam në Berlin dhe kaluam pikat kufitare me kasetat tona të vogla të kamerave, për të ushqyer të gjithë botën me pamje përmes satelitit. Me fillimin e nëntorit, nuk e kishim më problem që të kalonim fshehtësisht ato kaseta sërish në Berlinin Perëndimor. Kanali televiziv shtetëror i Gjermanisë Lindore po i transmetonte direkt ato “demonstrime të të hënave”. Erich Honecker ish larguar. Berlini Lindor qe një qytet që ziente. Në 4 nëntor, qindra mijëra protestues marshuan në Sheshin “Aleksandër”. Donin një tjetër qeveri. Ata tallnin kreun e ri të shtetit. Egon Krenz, i famshëm për ngërdheshjen e tij, krahasohej me ujkun tek “kësulkuqja”. Në një banderolë gjigande shkruhej: “Përse buzëqesh ky njeri?”
Folën disidentë, folën shkrimtarë. Foli edhe jnë spiun. Markus Wolf iu drejtua masave. Kryespiuni i famshëm – dikur i etiketuar “Njeriu pa fytyrë” nga agjensitë e huaja të spiunazhit – dëshironte të shihte nëse kish një qoshe për të në këtë lëvizje. Por populli nuk i donte më ata njerëz. Donin diçka të re. Po çfarë? Dhe si? Atmosfera ishte e ndryshme nga ajo në Leipzig. Këtu ishte e zymtë, më e organizuar, më e rregullt. Mund të ndieje se njerëzit qenë të shqetësuar për të ardhmen e tyre. Nuk kishte aq hare sa në Leipzig. Ishte një atmosferë e mbushur me shqetësim se mos situata dilte jashtë kontrolli – bashkë me vetëdijen se ishte më e lehtë t’i kundërviheshe një regjimi, se sa të përpiqeshe ta ndryshoje atë. Dhe në çfarë ta ndryshoje?
Nuk kishte një lëvizje te bashkuar. Fraksione të ndryshëm kërkonin një shumëllojshmëri gjërash: Socializëm të ri. Bashkim me Perëndimin. Për momentin, një shtet Gjermano Lindor të veçantë. Në asnjë mënyrë, një bashkim.
Pesë ditë më vonë, kish marrë fund. Muri ishte hapur. Berlinezët kërcenin mbi Mur, godisnin Murin, puthnin të panjohur në Mur, ngisnin makinat e tyre përmes të çarave të Murit. Kish marrë fund. Rrjetet televizivë ndërtonin platforma me Murin në sfond, transmetonin drejtpërdrejtë skenat ashtu si ndodhnin, transmetonin një speciale pas tjetrës në gjuhët e të gjithë botës.
Ishte lajmi i jetës. Pasi kisha punuar për 30 orë me radhë përpara Portës së Brandenburgut, u ula në platformën tonë televizive (CNN) në orën pesë të mëngjesit, duke renditur shënimet, kabllogramët dhe kasetat filmike.
Në atë çast mu afrua një burrë rreth të tridhjetave. Ai po shihte pa i hequr sytë nga pajisjet e teknologjisë së lartë me të cilat qarkullonte media perëndimore. Po shihte të gjithë telefonat që kishim organizuar disa orë pas rënies së Murit. “Hmm”, tha. “Ndonjëherë na është dashur të presime dhe dhjetë vjet për një telefon”.
E pashë edhe një herë me atë shprehjen gjermano-perëndimore, disi fajtore që kisha qenë më e pasur, më me fat, më e lumtur. Ai buzëqeshi dhe tha: “Kalofsh një ditë të mirë”.
“Danke, edhe ju gjithashtu!” iu përgjigja. Ai përshëndeti me dorë dhe u largua. Drejt perëndimit