Politika

Reforma në drejtësi, Halimi: Duhet të garantojmë pavarësinë dhe luftën ndaj korrupsionit

Për opozitarët e komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, muaji gusht do të jetë punë intensive. Së bashku me socialistët është përcaktuar një axhendë për komisionin.

“Në mënyrë që në shtator të mos pengojmë punën për dërgimin e strategjisë dhe dokumentave në Komisionin e Venecias. Për këtë jemi dakortësuar me PS dhe mazhorancën”, tha Eduard Halimi, deputet i PD-së.

Opozita ka dy qëllime për të arritur nëpërmjet platformës për reformimin e sistemit të drejtësisë.

“Platformë që do të fokusohet në forcimin e pavarësisë dhe konsolidimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, dhe në forcimin e luftës ndaj korrupsionit për të larguar gjyqtarë dhe prokurorë të paaftë të korruptuar nga sistemi”, vijoi Halimi.

Për opozitën ekspertiza ndërkombëtare që do të marrin dokumentet e komisionit të reformës është një nga garancitë themelore për një reforme të drejtë dhe të paanshme.

“Do të jetë Komisioni i Venecias, ekspertiza ndërkombëtare dhe procesi që do të vijojë më pas në komision”, vijoi deputeti demokrat, Eduard Halimi.

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se reforma në drejtësi, një nga pikat kyçe për integrimin europian, do të kryhet deri në fund të vjeshtës. Megjithatë për opozitën rëndësinë kryesore nuk e ka koha.

“Standardi ka rëndësi, gjithëpërfshirja, transparenca. Një muaj më shumë apo më pak kjo nuk është e rëndësishme. E rëndësishme është që qëllimet e kryeministrit të mos jenë kapja e sistemit të drejtësisë, por lufta pa kompromis kundër korrupsionit”, thekson z. Halimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button