Politika

Reforma për kthimin dhe kompensimin e pronës, Rama: Zhdukëm menaxhimin kriminal

Kryeministri Edi Rama, duke folur në prezantimin e reformës së kthimit dhe kompensimit të pronave, ka deklaruar se për këtë çështje nevojitet një vijë e prerë ndarëse mes logjikës dhe absurditetit.

“Historiku i çështjes së pronave ka pasur dy anë: individë që kanë trashëguar teatrot e antikitetit dhe një shtet që ka bërë me pronën çorapin më të paimagjinueshëm”, ka deklaruar Rama.

Shefi i qeverisë ka nënvizuar se, raportet e progresit të BE që nga viti 2005 e më pas kanë ardhur me vlerësime negative në rritje sa i takon çështjes së pronave.

“Nga viti 2008 në 2014, raportet e progresit për çështjen e pronave kanë ardhur duke u bërë më të zymta”, ka vijuar Rama.

Duke theksuar se çështja e pronës është një nga 5 prioritetet për të cilat Shqipëria po mbikëqyret nga BE, kryeministri ka thënë se, në këto dy kjo çështje ka hyrë në një fazë të re.

“Progres-raporti i vitit 2013 thotë se përpjekje drastike duhen ndërmarrë për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pra, thotë ose zgjidheni, ose rrini. Nëse s’e zgjidhni s’keni vend në BE”, ka pohuar Rama.

“Me trasenë që çel ky projekt, në një hark kohor rekord ne mbyllim nga pikëpamja përmbajtësore një problem që mund të shkonte deri në 1 mijë vjet dhe nga pikëpamja financiare mund të kërkonte 350 vjet”, ka thënë ai.

Një tjetër pikë të cilës shefi i qeverisë i është referuar ka qenë ndryshimi 24 herë i ligjit të vitit 2004 për pronën, si dhe veprimi i strukturave të gjyqësorit si banda kriminale, “që me forcën e çekiçit i ndanin pronat sipas oreksit me para në dorë”.

“Sasia e titujve të pronësisë së falsifikuar është marramendëse dhe është bërë një hata e vërtetë”, ka shtuar ai.

Më herët, drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato theksoi se ky ligj shënon një kthesë me rëndësi për çështjen e pronave. Ai parashikon shtyrjen me 6 muaj të afatit për aplikimet për pronësinë.

Qato tha se për herë të parë qeveria merr përsipër faturën që shteti përballon për identifikimin e të gjitha vendimeve për kompensim. Fondi vjetor buxhetor i përcaktuar do të jetë me rritje progresive me një vlerë mesatare prej 5 miliardë lekësh në vit, me një shtrirje kohore 10-vjeçare.

“Për herë të parë qeveria mori përsipër të identifikojë faturën që shteti do të përballojë për ekzekutimni e të gjitha vendimeve për kompensimin, sikurse të gjitha institucionet analizuan të gjithar resurset e mundshme. Fondi vjetor buxhetor me rritje progresive të detyrueshe me vlerë mestare 5 miliardë lekë në vit me një shtirje kohore 10- vjeçare. Vendoset një koncept i ri në përllogaritjen e shumës financiare. Brenda 6 muaj AKKP merr përsipër detyrën për të verifikuar mangësitë formale të 26 mijë vendimeve për kompensim”, tha Qato gjatë fjalës së saj.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në fjalën e tij vlerësoi se çështja e pronave është me rëndësi kombëtare.

“Mazhoranca prezantoi një program për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe miratoi një plan të mirëfilltë veprimi, me afate të përcaktuara”, tha Naço.

Ai u shpreh se, për vite më radhë çështja e pronave kishte mbetur nëpër labirinte ligjore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button