Reforma Territoriale, çfarë u diskutua te “Ligjet” në seancën e pasdites? Sako dhe Qosja me propozime të ndryshme (DEBATET)
Debate dhe propozime të ndryshme janë diskutuar pasditen e djeshme në Komisionin e Ligjeve në kuadër të reformës Administrativo-Territoriale, ku përfaqësuesit e pushtetit vendor kanë paraqitur qëndrimet e tyre mbi organizimin e ardhshëm të njësive vendore.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, në cilësinë e përfaqësueses së Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë, prezantoi propozimet e kësaj shoqate, të miratuara nga Asambleja dhe të dorëzuara te dy bashkëkryetarët e reformës në muajin qershor.
Në qendër të propozimeve janë decentralizimi, rritja e kompetencave të bashkive, financimi i funksioneve të transferuara dhe një shpërndarje më e barabartë e investimeve në të gjithë territorin.
Sako theksoi se transferimi i çdo përgjegjësie të re te pushteti vendor duhet të shoqërohet me kompetenca të përcaktuara qartë, financim dhe kapacitete njerëzore.
“Gjatë takimeve që kemi pasur me kryetarët e bashkive, kemi vënë theksin te funksionet dhe financat si çështje shumë të rëndësishme për shërbimin fundor të qytetarëve, sepse atyre nuk u intereson se kush e jep shërbimin, por e rëndësishme është që shërbimi me standard të shkojë edhe te qytetari me vendbanimin shumë të largët”, tha Sako.
Ajo kërkoi gjithashtu që të përcaktohet me ligj mënyra se si funksionet dhe kompetencat mund të transferohen apo të rikthehen te pushteti vendor.
“Ne propozojmë që të ndalohet me instrument ligjor heqja e funksioneve dhe kompetencave të njësisë së qeverisjes vendore për çështje që shtrihen në territor nga qeveria qendrore. Duhet përcaktuar një metodologji e qartë e decentralizimit të një funksioni. Kompetencat e centralizuara të rishikohen dhe të kthehen te bashkia”, u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit.
Sipas Sakos, edhe ndryshimi i kompetencave duhet të shoqërohet me burime të përshtatshme.
“Çdo funksion i ri që transferohet te bashkitë duhet shoqëruar me kompetenca të qarta, financim, standarde dhe kapacitete njerëzore. Duhen miratuar standarde kombëtare dhe vendore në harmoni me BE-në për shërbimet publike, të garantohet cilësi dhe akses i barabartë në shërbime në zona urbane dhe rurale”, tha ajo.
Në vijim, Sako kërkoi më shumë kompetenca për njësitë administrative dhe një mekanizëm që do të garantonte shpërndarje më të balancuar të investimeve.
“Njësitë administrative duhet të kenë më shumë kompetenca, të ofrojnë më shumë shërbime. Investimet të shpërndahen në mënyrë proporcionale. Vendosja e një rregullatori për shpërndarjen e investimeve do të bënte të mundur mbulimin me investime të të gjithë territorit”, deklaroi Sako.
Në të njëjtën mbledhje, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, solli një tjetër qasje mbi hartën territoriale, duke mbështetur propozimin e opozitës për 100 bashki dhe 12 qarqe.
Qosja argumentoi se zgjerimi i territorit të bashkive nuk ka sjellë automatikisht përmirësim të shërbimeve dhe kërkoi që përpara miratimit të një harte të re të bëhet një vlerësim i reformës së vitit 2014.
“A-ja e gjithçkaje është ndarja territoriale dhe afërsia me qytetarin. Për kompetencat jam dakord, por afërsia me qytetarin është më e rëndësishme. Si përfaqësues i Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë që përfaqëson bashkitë e opozitës, dua të bëj të qartë që ne qëndrojmë për 100 bashki dhe 12 qarqe”, tha Qosja.
Kryebashkiaku i Kavajës e lidhi propozimin me përvojën e reformës së vitit 2014, duke kërkuar që efektet e saj të analizohen përpara se të merret një vendim i ri për ndarjen territoriale.
“Kjo është baza për një qeverisje vendore më pranë qytetarëve. Përvoja e viteve 2014 tregoi se bashkitë u bënë më të mëdha, por shërbimi jo. Ne kërkojmë vlerësim publik të reformës së kaluar para se të merret vendimi përfundimtar”, u shpreh ai.
Qosja propozoi gjithashtu një model territorial të diferencuar, ku numri i njësive vendore të përcaktohet në bazë të nevojave të komuniteteve.
“Ne propozojmë një model territorial të diferencuar, ku numri përcaktohet në bazë të nevojës. Duhet të rrisim numrin e bashkive dhe çdo kompetencë të shoqërohet me financim. Kërkojmë përfaqësim real të qytetarëve. Komunitetet e prekura duhen dëgjuar para ndryshimit të kufijve”, tha Qosja.
Diskutimi në Komisionin e Ligjeve riktheu në fokus dy prej çështjeve kryesore të reformës territoriale: organizimin dhe numrin e njësive vendore, si dhe mënyrën se si kompetencat, financat dhe shërbimet do të shpërndahen mes pushtetit qendror dhe atij vendor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.