Reforma territoriale dhe ajo zgjedhore, ambasadori i OSBE-së: Puna po ecën ngadalë. Ne nuk imponojmë modele, vendosni ju vetë
Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran, ka folur nga Pogradec lidhur me reformën zgjedhore dhe atë territoriale në vend, duke theksuar se OSBE nuk ka një model të preferuar për Shqipërinë dhe se vendimmarrja duhet t’u takojë vetë shqiptarëve.Tarran deklaroi se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është angazhuar për të mbështetur komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, megjithëse, sipas tij, puna ka avancuar me ritme të ngadalta.Ambasadori nënvizoi se OSBE nuk është në Shqipëri për të propozuar një sistem të caktuar elektoral. Sipas Tarran, janë vetë shqiptarët ata që duhet të përcaktojnë sistemin zgjedhor që duan të zbatojnë.“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është angazhuar në këtë punë për të mbështetur komisionin e posaçëm. Që nga fillimi kanë punuar ngadalë, kanë humbur kohë, por gëzohemi që kanë rifilluar punën e tyre. Dhe, siç e keni thënë, kanë punuar në temën e financimit të partive, që është një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës politike në ndonjë vend demokratik, siç është tani Shqipëria.Sa i përket reformës, ne nuk jemi këtu për të propozuar, për të punuar një model. Ka modele të ndryshme, çdo vend e ka modelin e vet. Dhe ka probleme të ndryshme me organizimin e zgjedhjeve, ka rekomandimet që bëhen nga ODIHR-i çdo herë kur vijnë këtu për të vëzhguar zgjedhjet.Ne jemi këtu për t’i ndihmuar në implementimin e këtij e këtyre rekomandimeve. Por, edhe njëherë, kjo nuk thotë që kemi një sistem preferuar këtu. Edhe njëherë, ka sisteme të ndryshme. OSBE-ja bëhet nga 57 vende pjesëmarrëse dhe çdonjëri ka sistemin e tij, dhe duhet që shqiptarët vetë të vendosin cilin sistem kanë dëshirë për ta implementuar këtu”, tha ambasadori Tarran.I pyetur për debatin mbi numrin e deputetëve në Kuvend, Tarran refuzoi të japë një qëndrim, duke e konsideruar çështje të brendshme të Shqipërisë.“150, 200, 50 apo 300 deputetë është problem i juaj. Çdo vend ka situatë të ndryshme. Dikush konsideron që duhet të ketë më pak deputetë, të tjerë janë në favor të një numri më të madh. Nuk është puna jonë për të komentuar këtë aspekt teknik”, deklaroi ai.Në lidhje me reformën territoriale, ambasadori tha se nuk ka informacion nëse Shqipëria do të ketë një hartë të re administrative në zgjedhjet e ardhshme.“Nuk jam i sigurt që do të shkoni me një hartë të re territoriale. Deri tani nuk kam dëgjuar që do të jetë gati një hartë e re. Edhe këtu ka mendime të ndryshme dhe nuk është puna ime të hyj në këtë debat”, u shpreh Tarran.Ambasadori komentoi edhe pakënaqësitë e partive të vogla, të cilat shpesh ankohen se reforma zgjedhore dominohet nga partitë e mëdha.“Ky lloj diskutimi ekziston në vendet e tjera gjithashtu, edhe prapë mund të kuptoj edhe vendimin e atyre partive që konsiderohen që nuk respektohen në mënyrën e duhur dhe që nuk u jepen mundësi për tu zhvilluar. Por duhet thënë që ka shumë vende ku sistemi bazohet në parimin e dy palëve, një parti e madhe ose një koalicion partish të mëdha nga njëra anë dhe një koalicion partish të mëdha nga ana tjetër. Ose dy parti, të mos flasim për Europën, por në Shtetet e Bashkuara ka dy parti, edhe gjithë përpjekjet që janë bërë nga aktorët e tjerë për të krijuar parti të tjera të vogla nuk kanë punuar atje dhe asnjlri nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara nuk janë një vend demokratik. Domethënë ekzistojnë sisteme të ndryshme”, tha ai./rtsh.al/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.