Shpërthejnë kritikat ndaj Berishës, demokratët kërkojnë përgjigje për “izolimin” nga ambasadori i ri amerika
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është përballur me një sërë kritikash nga qytetarët në rrjetet sociale. Në komentet në faqen e tij në “Facebook”, demokratët ngrenë pikëpyetje për marrëdhënien e tij me ambasadorin e ri amerikan, kundërshtojnë listat e mbyllura, kërkojnë primare për zgjedhjet lokale dhe shprehin pakënaqësi për mënyrën se si drejtohet opozita.
Disa prej tyre e akuzojnë për mbajtjen e karrigeve, ndërsa të tjerë shprehin zhgënjimin për trajtimin e demokratëve që, sipas tyre, kanë kontribuar ndër vite për partinë, por kanë mbetur pa përfitime.
Çështja e takimit me ambasadorin amerikan është ngritur nga dy qytetarë, të cilët i kërkojnë Berishës të sqarojë nëse do të zhvillojë një takim me diplomatin amerikan, pasi kreu i PD ka pretenduar se “non grata” i është hequr.
“Përshëndetje, doktor Berisha! Si demokrat, doja të dija nëse Sali Berisha do të shkojë të takojë ambasadorin amerikan apo do të vijë ambasadori t’ju takojë në selinë e PD-së?”, shkruan një prej komentuesve.
Një tjetër demokrat, i persekutuar nga regjimi komunist, kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë nga kreu i opozitës.
“Sali, jam demokrat dhe i persekutuar nga PK-ja e atëhershme. Pyetje direkte dhe jo përgjigje dredhuese! Pse nuk e takon ambasadorin e Amerikës?”, shkruan ai.
Një tjetër komentues kundërshton sistemin e listave të mbyllura, duke akuzuar drejtuesit politikë se kanë miratuar një kod zgjedhor që, sipas tij, pengon rotacionin dhe nuk u jep qytetarëve mundësinë të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre.
“Me atë kod zgjedhor që keni për listat e mbyllura, kurrë nuk keni për të marrë pushtetin. E keni miratuar së bashku për të mos pasur rotacion. Deputetët duhet të dalin nga vota e popullit, jo nga ata që i mbyllni ju në lista. Të gjithë shqiptarët i keni marrë në qafë. Prandaj, kthejuni punës për shqiptarët, sepse ju mendoni vetëm për karriget tuaja”, shprehet qytetari.
Një tjetër qytetar e pyet Berishën nëse Partia Demokratike do të zhvillojë primare për përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhjet lokale. Ai kërkon gjithashtu të dijë nëse do të pastrohen listat nga personat që i konsideron të afërt me kryeministrin Edi Rama.
“Doktor, ju përshëndes! Po afrohen zgjedhjet lokale. A do të ketë primare për zgjedhjen e kandidatëve? Nëse po, a do të pastrohen listat nga ata pseudodemokratë që kanë hyrë në krevatin e Ramës?”, pyet komentuesi.
Kritikat ndaj drejtimit të opozitës vijojnë edhe në një tjetër koment, ku një qytetar shpreh lodhjen nga bisedimet politike dhe pakënaqësinë për ecurinë e 36 viteve. Ai përmend qëndrimin e PD-së lidhur me zhvillimet në Rrjoll dhe Zvërnec, duke pretenduar se partia nuk ka qenë në krah të qytetarëve dhe se është bashkuar me qeverinë.
“U lodhëm me këto bisedime. Kemi 36 vjet dhe punët shkojnë gjithnjë e më keq. Që nga momenti kur ju, si PD, nuk morët pjesë në Rrjoll e Zvërnec, duhej të ishit me popullin. Por ndodhi e kundërta, u bashkuat me qeverinë. Këto bisedime nuk kanë vlerë”, shkruan ai.
Në përfundim të komentit, qytetari përdor akuza të forta ndaj qeverisë dhe opozitës, duke pretenduar se qytetarët janë lënë pa mbështetje.
“Mafia në qeveri ju ka futur edhe juve në thes dhe e keni lënë popullin si bagëtinë në lidhë, pa bari”, përfundon reagimin e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.