Reforma Zgjedhore, Balla: 30 nëntor përfundon komisioni, PD të ndaj bojkotin. PS nuk do të mbështesë shtyrjen e afatit
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se PS-ja nuk do të mbështesë zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke theksuar se data 30 nëntor është afati përfundimtar për përfundimin e punës së tij.
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla i bëri thirrje Partisë Demokratike që të ndërpresë bojkotin parlamentar dhe të rikthehet në Kuvend dhe në komisionet parlamentare, për të kontribuar në përmbylljen e reformës.
Ai theksoi se një vit ka qenë kohë e mjaftueshme për realizimin e reformës, ndërsa paralajmëroi se mazhoranca është e gatshme ta miratojë atë edhe në mënyrë të njëanshme, nëse opozita nuk pranon të bashkëpunojë.
“30 nëntori është afati i fundit i Komisionit të Reformës Zgjedhore. PS-ja nuk do të mbështesë zgjatjen e afatit të këtij komisioni, pasi një vit ka qenë i mjaftueshëm. Nuk mund të përsëritet i njëjti skenar dhe e njëjta lojë e pistë në kurriz të Shqipërisë dhe rrugës së saj të integrimit. Do ta miratojmë reformën edhe në mënyrë të njëanshme, nëse PD-ja nuk bie dakord dhe kërkon shtyrjen e afatit të komisionit”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së i bëri gjithashtu thirrje PD-së dhe partive të tjera opozitare që të marrin pjesë në seancën e ardhshme parlamentare, ku do të diskutohet buxheti i vitit 2027.
Sa i përket përmbajtjes së reformës, Balla përmendi depolitizimin e komisioneve zgjedhore, rregullimin e mbulimit mediatik të fushatave dhe financimit të medias gjatë periudhave elektorale, si dhe çështjen e përfshirjes së administratës në zgjedhje dhe financimin e partive politike.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.