Reforma zgjedhore, Balla: Ligji për financimin e partive duhet miratuar deri më 31 dhjetor. Jemi pro votimit dhe numrit elektronik
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar përmbylljen e punës për reformën zgjedhore brenda datës 30 nëntor, duke theksuar se nuk ka më arsye për shtyrje të afateve.
Në një prononcim për mediat, Balla u shpreh se koha në dispozicion është e mjaftueshme për të adresuar rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe për të depozituar propozimet brenda afatit të përcaktuar. Sipas tij, ligj i financimit të partive politike duhet miratuar brenda 31 dhjetorit, pasi është një detyrim në kuadër të procesit të integrimit europian.
“Në reformën zgjedhore vetëm shpejtësi nuk ka pasur. E falënderoj Komisionin e Venecias që solli ekspertin këtu, por koha është mëse e mjaftueshme që të mbyllet brenda afatit të 30 nëntorit.
Ligji për financimin e partive nuk ka ngjashmëri, pasi në nivel ekspertësh ka dakordësi. Do të ishte mirë që bashkërisht të adresonim rekomandimet e Venecias dhe të depozitoheshin brenda afateve të komisionit, pra brenda datës 30 nëntor.
Kur ramë dakord që ta shtynim, ramë dakord që data 30 të ishte afati i fundit. Dëshira jonë është që të mos shkojmë në mënyrë të njëanshme, por janë disa afate që duhen respektuar, pasi ligji për financimin e partive duhet të miratohet brenda 31 dhjetorit, pasi është detyrim në kuadër të procesit të integrimit. Është bërë histori që çdo gjashtë muaj e shtyjmë dhe nuk bëjmë asnjë punë. Kjo duhet të marrë fund, në funksion të ecjes përpara”, tha Balla.
Ai u ndal edhe te votimi dhe numërimi elektronik, duke sjellë si shembuj përvojat në Elbasan, Kamëz, Vorë dhe Njësinë 10 në Tiranë, të cilat i cilësoi pozitive.
Balla tha se procesi i votimit dhe numërimit elektronik nuk është vënë në dyshim për integritetin e tij dhe duhet të shtrihet më tej, në mënyrë që qytetarët të njihen me rezultatin brenda natës së zgjedhjeve.
“Votimi elektronik në Elbasan, Kamëz, Vorë apo në Njësinë 10 në Tiranë ka treguar një eksperiencë pozitive. Kam dëgjuar drejtuesin e PD-së që thotë se jemi kundër, por e njëjta parti ka qenë ajo që ka qenë pro në zgjedhjet e vitit 2025.
Askush nuk ka vënë në dyshim integritetin e plotë të procesit të votimit dhe numërimit elektronik. Ne e mbështesim plotësisht këtë dhe shqiptarët meritojnë që rezultati të dalë brenda natës së ditës së votimit. Zgjidhja më e mirë për këtë duhet të jetë numërimi brenda qendrave të votimit”, tha ai.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.