Serbia nuk merr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Brukseli pret qeverinë e re për dialogun me Kosovën
Serbia me shumë gjasë nuk do të rreshtohet me deklaratën përfundimtare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ndërsa BE-ja pret formimin e institucioneve të reja në Beograd për të vijuar dialogun me Kosovën.
Serbia me shumë gjasë nuk do të rreshtohet me deklaratën përfundimtare të Samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, siç njofton Shqiptarja.com duke cituar Radion Evropa e Lirë, sepse presidenti në detyrë i Serbisë dhe kryetari i Kuvendit, Aleksandar Çupiç, nuk do të marrë pjesë në takim. Këtë e bënë të ditur zyrtarë të lartë të BE-së të përfshirë në përgatitjet e samitit që mbahet të mërkurën, 25 nëntor, në Bruksel.
Në deklaratën përfundimtare thuhet, ndër të tjera, se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik nuk janë në përputhje me vlerat themelore të BE-së. Vendeve të rajonit u kërkohet respekt për të gjitha viktimat, si dhe respektim i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare e vendore për krimet e luftës.
Çupiç mori detyrën javën e kaluar, pasi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Serbisë më 19 nëntor. Ai ushtron njëkohësisht edhe detyrën e presidentit të vendit, pas dorëheqjes së Aleksandar Vuçiçit në shtator, kur vendosi të kandidojë për kryeministër. Lista Studentore fitoi bindshëm ndaj Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi dhe me 140 deputetë siguroi shumicën absolute në Kuvend.
Diplomatët në Bruksel shprehën mirëkuptim për mungesën e Çupiçit, duke e vlerësuar të kuptueshme për shkak të tranzicionit politik në Beograd. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, zhvilloi një bisedë shumë të mirë me Çupiçin, i cili e informoi se vendimi lidhej me zhvillimet urgjente në Kuvendin e Serbisë. Të dy u dakordësuan të takohen në mundësinë e parë, ku do të diskutohet afrimi i Serbisë me BE-në dhe prioritetet e Listës Studentore, para së gjithash lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit. Një zyrtar i BE-së tha se marrëdhëniet me qeverinë dhe autoritetet e ardhshme serbe i shohin me shumë optimizëm.
Nga autoritetet e ardhshme në Beograd, shtetet anëtare të BE-së do të presin sundimin e ligjit, orientim të qartë strategjik dhe përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Rreshtimi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet, mbetet kërkesë e vazhdueshme — sipas të dhënave të BE-së, Serbia ka shkallën më të ulët të rreshtimit në rajon, rreth 59 përqind. Komisioni Evropian ka vlerësuar prej kohësh se grupkapitulli i tretë në negociatat e anëtarësimit me Serbinë është teknikisht gati për t’u hapur, por shtetet anëtare ende nuk kanë rënë dakord.
Për dialogun me Kosovën, BE-ja nuk planifikon takim në nivel liderësh para formimit të institucioneve të reja në Serbi. Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, është e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë, por duhen partnerë të qëndrueshëm institucionalë. Deklarata e samitit thekson se mungesa e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve ngadalëson rrugën e të dyja palëve drejt BE-së dhe kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke paralajmëruar se përfitimi nga fondet e Planit të Rritjes kushtëzohet me qasje konstruktive. Ky është samiti i dytë radhazi në Bruksel pa përfaqësues të Serbisë: në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm Aleksandar Vuçiq e bojkotoi samitin si reagim ndaj mos’hapjes së grupkapitullit të tretë, dhe as atëherë Serbia nuk u rreshtua me deklaratën përfundimtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.