“Refugjatët ndalini edhe me armë”; propozimi shokues i politikanes gjermane
Në politikën gjermane, prej muajsh nuk ka temë tjetër përveç asaj të refugjatëve. Se në çfarë nivelesh ka mbërritur indinjata në vend, këtë e dëshmoi deklarata e Frauke Petry, lidere e partisë anti-emigrantëve, Alternativa për Gjermaninë, AFD.
Ajo tha se rojet kufitare duhet “të parandalojnë me çdo kusht kalimin e paligjshëm të kufijve dhe, po qe e nevojshme, të përdorin edhe armët e zjarrit”.
Kjo është ideja e saj për të frenuar hyrjen e klandestinëve e të atyre që nuk gëzojnë të drejtën e azilit. Në Europë, një propozimi të tillë debat-ndjellës nuk i mungojnë mbështetësit.
Ka plot njerëz që mendojnë se kërcënimi i armëve mund ta dekurajojë vërshimin e emigrantëve në kontinentin e vjetër. Në Gjermani megjithatë, deklarata e Petry ngjalli reagime të ashpra.
Zevendëskancelari, njëkohësisht lider i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel i tha së përditshmes Bild se drejtuesve të AFD-së nuk i duhet lejuar të flasin në mediat publike.
“Me ata më mirë të merren shërbimet e sigurisë”, u shpreh numri dy i qeverisë gjermane. Çka do të thotë se duhen trajtuar si neo-nazistët: të mbahen vazhdimisht nën mbikëqyrje.
Gabriel kujtoi se kjo nuk është e vetmja kërkesë e çuditshme e Petry, që i ka ftuar më parë gratë gjermane të sjellin në jetë më e pakta tre fëmijë.
Komentet e saj i dënuan edhe shumë politikanë të tjerë si dhe krerët e policisë, kjo edhe për faktin se një ftesë e tillë nuk vjen nga një militante e izoluar.
Sondazhet e fundit të opinionit e projektojnë AFD-në si partinë e tretë më të rëndësishme në vend, duke i dhënë ndërmjet 10 dhe 12% të preferencave, një rritje e jashtëzakonshme për këtë forcë politike që i detyrohet pikërisht pozicionit të saj kundër emigrantëve.