🌤️
Tiranë 15°C · Kryesisht kthjellët 26 Shtator 2026
S&P 500 7,743 ▲0.51%
DOW 51,829 ▲0.93%
NASDAQ 27,069 ▲0.48%
NAFTA 92.41 ▼2.33%
ARI 4,321 ▲0.54%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1399 EUR/GBP 0.8606 EUR/CHF 0.9440 EUR/ALL 91.6218 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4795 EUR/TRY 55.7224 EUR/JPY 179.54 EUR/CAD 1.6106 EUR/USD 1.1399 EUR/GBP 0.8606 EUR/CHF 0.9440 EUR/ALL 91.6218 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4795 EUR/TRY 55.7224 EUR/JPY 179.54 EUR/CAD 1.6106
₿ CRYPTO
BTC $83,950 ▼ -0.17% ETH $2,686 ▲ +0.34% XRP $1.5482 ▲ +1.13% SOL $120.3800 ▲ +3.39%
S&P 500 7,743 ▲0.51 % DOW 51,829 ▲0.93 % NASDAQ 27,069 ▲0.48 % NAFTA 92.41 ▼2.33 % ARI 4,321 ▲0.54 % S&P 500 7,743 ▲0.51 % DOW 51,829 ▲0.93 % NASDAQ 27,069 ▲0.48 % NAFTA 92.41 ▼2.33 % ARI 4,321 ▲0.54 %
EUR/USD 1.1399 EUR/GBP 0.8606 EUR/CHF 0.9440 EUR/ALL 91.6218 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4795 EUR/TRY 55.7224 EUR/JPY 179.54 EUR/CAD 1.6106 EUR/USD 1.1399 EUR/GBP 0.8606 EUR/CHF 0.9440 EUR/ALL 91.6218 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4795 EUR/TRY 55.7224 EUR/JPY 179.54 EUR/CAD 1.6106
26 Sht 2026
Breaking
Opinion

Republika e sofizmave

Erion Veliaj duke u shoqëruar në Gjykatën Kushtetuese | Foto: LSA

Nga: Vangjel Stamo

Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë, i cili la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duhej të shënonte një moment reflektimi dhe kërkese llogarie për mazhorancën qeverisëse.

Në vend të kësaj, opinioni publik u përball me një nga shfaqjet më të pastra të hipokrizisë politike, përmes një deklarate publike të kryeministrit Edi Rama. Duke e cilësuar mbajtjen në qeli të Veliajt si një “kalvar unik në historinë e Europës demokratike” dhe duke u ankuar se Tirana mbeti sërish “pa kokë”, Rama jo vetëm që sulmoi hapur vendimmarrjen e organit më të lartë të drejtësisë, por shpërfaqi edhe një mentalitet të rrezikshëm politik – atë sipas të cilit “korrupsioni i zyrtarëve të lartë nuk përbën rrezikshmëri shoqërore”.

Në vend që të vepronte sipas parimeve më minimale të ligjit dhe moralit publik – duke kërkuar zëvendësimin e menjëhershëm administrativ dhe distancimin total nga aferat korruptive, shefi i qeverisë zgjodhi rrugën e sofizmave juridikë dhe të retorikës mbrojtëse. Kjo qasje vërteton sërish se lidershipi politik në Shqipëri nuk e sheh korrupsionin masiv dhe endemik si një plagë që po shkatërron vendin, por si një “problem teknik” ose si një “eksperiment juridik” që pengon funksionimin e makinerisë së pushtetit.

Veliaj ndodhet në paraburgim prej shkurtit 2025, kur Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK-ut, caktoi ndaj tij masën “arrest në burg”. Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, duke pretenduar se ai dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar para dhe pasuri nga subjekte që kishin marrë fonde publike ose leje nga Bashkia e Tiranës, si dhe se në disa vendimmarrje urbanistike kishte interesa pasurore të lidhura me familjen e tij. Kryetari i Bashkisë Tiranë i ka mohuar akuzat, duke pretenduar përmes mbrojtjes se SPAK nuk ka paraqitur prova konkrete për korrupsionin dhe pastrimin e parave dhe se procesi ndaj tij është shoqëruar me shkelje procedurale dhe cenim të të drejtave të mbrojtjes

Masa “arrest në burg” u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm dhe, fillimisht, edhe nga Gjykata e Lartë. Në maj 2026, Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht ankimin e Veliajt, shfuqizoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim. Më 15 shtator 2026, pas rishqyrtimit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, la përsëri në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm dhe, rrjedhimisht, masën “arrest në burg”.

Në deklaratën e tij, Edi Rama u shpreh se një milion banorë të Tiranës po vuajnë pasojat e një “eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”. Ky lloj formulimi është një fyerje e drejtpërdrejtë për inteligjencën e qytetarëve. Eksperimenti i vetëm i paparë në këtë vend nuk është puna e organeve të drejtësisë, që guxojnë të vënë pas hekurave një zyrtar të akuzuar, por modeli qeverisës ku paratë publike dhe taksat e qytetarëve avullojnë përmes skemave të mirëfillta të korrupsionit.

Kur Gjykata e Lartë refuzon të lirojë një zyrtar të lartë, ajo e bën sepse vlerëson se ekzistojnë dyshime dhe rrethana që justifikojnë vijimin e masës së sigurisë. Por për kryeministrin, “ende nuk është bërë e dukshme prova e rrezikshmërisë ekstreme”. Sipas këtij standardi, vjedhja e miliona eurove, abuzimi me detyrën dhe pastrimi i parave në kurriz të qytetarëve nuk qenkan “rrezikshmëri e lartë”. Rrezikshmëri, sipas këtij mentaliteti, përbëjnë vetëm krimet e rrugës, ndërsa krimi me jakë të bardhë – ai që zhvat të ardhmen e një brezi të tërë, duhet trajtuar me doreza mëndafshi dhe tolerancë kushtetuese.

Përdorimi i metaforës se Tirana po lëngon “me kokë të prerë” është shtylla kurrizore e hipokrizisë së Ramës.Ideja e qytetit apo shtetit si një trup politik është shumë e vjetër. Në mendimin klasik dhe sidomos atë mesjetar, shoqëria përfytyrohej si trup, ndërsa sundimtari si koka që drejton gjymtyrët. Pa kokën, trupi humb drejtimin. Kur Rama thotë se Tirana jeton “me kokë të prerë”, Veliaj shndërrohet metaforikisht në kokën e qytetit dhe bashkia në trupin që nuk funksionon dot pa të.

Në një demokraci moderne, kryetari nuk është koka biologjike pa të cilën institucioni vdes. Bashkia ka administratë, nënkryetarë, këshill bashkiak dhe kompetenca që duhet të vazhdojnë të funksionojnë përtej fatit personal të drejtuesit. Nëse një institucion kaq i madh mbetet “pa kokë” sapo kryetari nuk mund të hyjë në zyrë, atëherë problemi nuk është vetëm masa e sigurisë. Është modeli i qeverisjes.

Kush dëshiron ta kuptojë situatën dhe të marrë pjesë aktive për ta përmirësuar atë, e sheh qartë hendekun e madh mes propagandës qeveritare dhe realitetit. Kur ligji thotë se askush nuk është mbi shtetin, kryeministri mbron idenë se vota popullore e shndërron individin në një qenie të paprekshme, pavarësisht faturës penale që ai mbart.

Pyetja lind natyrshëm, pse kryeministri zgjedh të bëjë avokatin politik të një personi të zhytur në akuza për korrupsion? Përgjigjja lidhet me vetë natyrën e sistemit që ai ka ndërtuar. Korrupsioni në këtë administratë nuk paraqitet më si një rast i izoluar apo si një “mollë e kalbur” që ra rastësisht nga pema, por si një fenomen i përhapur, kapilar dhe endemik. Kur pushteti funksionon si një organizëm i vetëm, rënia e njërës prej “kokave” kryesore rrezikon të tronditë të gjithë strukturën.

Nga inceneratorët te tenderat e rrugëve, nga aferat e bashkive te postet ministrore, çështjet penale dhe akuzat për korrupsion janë ndërthurur aq fort me njerëz të afërt me mazhorancën, sa distancimi i prerë politik bëhet gjithnjë e më i vështirë. Në këtë këndvështrim, sulmi i tërthortë ndaj Gjykatës së Lartë mund të lexohet edhe si një mesazh politik për të gjithë sistemin: se pushteti do të vazhdojë t’i paraqesë proceset penale ndaj njerëzve të tij si “kalvare” apo “eksperimente” sa herë që drejtësia prek rrethin e afërt të mazhorancës.

Edhe formula e kryeministrit se “respekton drejtësinë, por nuk pranon metodat” mbart një kontradiktë të dukshme. Nga njëra anë, Rama krenohet me Reformën në Drejtësi dhe e paraqet atë si një prej arritjeve kryesore të qeverisjes së tij; nga ana tjetër, kur institucionet e kësaj drejtësie prekin njerëz të fuqishëm pranë pushtetit, gjuha ndryshon dhe proceset përshkruhen si “kalvare” apo “eksperimente të paparë juridike”.

Deklarata e kryeministrit pas vendimit të Gjykatës së Lartë do të mbetet në histori si dokumenti zyrtar i amnistisë morale që ky pushtet i bën korrupsionit. Ajo provon se për këtë elitë politike, pushteti dhe zyrat janë pronë private që nuk mund të cënohen nga ligji i thjeshtë që vlen për te vdekshmit e zakonshëm të këtij vendi.

Tirana nuk është pa kokë sepse Erion Veliaj ndodhet në qelinë ku e ka vendosur ligji. Shqipëria dhe Tirana po vuajnë sepse u qeverisën për vite me radhë nga njerëz që moralin e zëvendësuan me sofizma, dhe ligjin e kthyen në një llastik që shtrihet vetëm për të mbrojtur rrethin e të paprekshmëve.

Demaskimi i kësaj hipokrizie nuk është më thjesht një çështje analize politike, por një emergjencë kombëtare për këdo që beson se ky vend meriton të qeveriset me dinjitet dhe jo me skenare qelish e propaganda mashtruese.

Me profesion arkitekt, Vangjel Petro Stamo ka qenë deputet i Partisë Demokratike në legjislaturën e parë pluraliste, nga 15 prill 1991 deri më 4 shkurt 1992, i zgjedhur në rrethin e Durrësit.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.