Rezoluta për Integrimin Europian, Vokshi vlerëson konsensusin PS–PD: Qeveria të mos e mbajë sekret procesin
Në seancën e sotme plenare, deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka vlerësuar punën e grupit negociator për arritjen e një projektrezolute të dakordësuar mes mazhorancës dhe opozitës, duke e cilësuar si një arritje të rëndësishme pas shumë vitesh.
“Falënderoj grupin negociator i cili ka bërë një punë të lavdërueshme për të arritur në një rezolutë, e para në vitet e fundit që arrihet me konsensus falë kontributit të opozitës. Draft-rezoluta që po diskutohet është mbi 90% kontribut i opozitës. Ky është rezultati kur opozita nuk përjashtohet, nuk refuzohet, lejohet të marrë pjesë në procese dhe sigurisht rezultati është që arrihen rezoluta të përbashkëta,” u shpreh Vokshi.
Deputetja theksoi se kjo rezolutë shkon përtej raportit të Këshillit të Ministrave, i cili sipas saj nuk trajton problematikat e ngritura në raportet e organizmave ndërkombëtare.
“Për mua kjo është arritja e vetë rezolutës, sepse kemi dalë përtej raportit të Këshillit të Ministrave i cili nuk jep asnjë zgjidhje për çështjet e ngritura në të gjitha raportet e fundit,” tha ajo.
Vokshi iu referua edhe raportit të fundit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, duke theksuar se aty janë ngritur shqetësime konkrete për çështje sensitive që preken edhe nga kjo rezolutë.
Megjithatë, ajo nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë për raportin e saj mbi integrimin europian.
“Është një nga raportet më të dobëta. Nuk i jep përgjigje asnjë çështjeje dhe as nuk informon publikun. Kjo është arsyeja pse procesin e mbani sekret. Dhuka duhet të ishte sot këtu për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të deputetëve. Edi Rama s’duhet të flasë serbisht, por shqip. Mali i Zi shumë shpejt do të mbyllë gjithë kapitujt dhe do të hyjë më parë se Shqipëria në familjen europiane. Është një proces që po e mbani hermetikisht sekret. Çfarë sekreti mbani? Madje, u kërkohen certifikata sigurie personave që bëjnë negociatat,” deklaroi Vokshi.
Rezoluta për procesin e integrimit europian është miratuar me konsensus të plotë në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, pas pesë orësh diskutime mes mazhorancës dhe opozitës.
Rezoluta angazhon Shqipërinë për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE, forcimin e rolit të Kuvendit, përmirësimin e cilësisë së ligjeve dhe përafrimin e tyre me standardet europiane, si dhe respektimin e ndarjes së pushteteve dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.