Rajoni

Rikthehet përplasja për kufirin detar mes Kroacisë dhe Sllovenisë

Kroacia po shqyrton seriozisht mundësinë që të tërhiqet nga Gjykata e Arbitrazhit për kontestin e sovranitetit të ujërave me Slloveninë në Gjirin e Piranit.

Deklarata e kryeministrit Zoran Milanoviç, e bërë ditën e hënë dhe ku tha se do të merret vendimi për t’u tërhequr nga Arbitrazhi, mbështetet nga ekspertët dhe juristët kroatë që hedhin dyshime të forta mbi besueshmërinë e trupës gjyqësore pas publikimit të një bisede të përgjuar mes njërit prej gjykatësve dhe përfaqësuesit slloven në gjykatë.

Vesna Crnic Grotic, që ka kryesuar grupin e juristëve kroatë në betejat gjyqësore ndërkombëtare me Serbinë, thotë se ky përgjim i jep të drejtën Kroacisë që të tërhiqet njëanshmërisht nga procesi gjyqësor të cilit iu drejtua pas marrëveshjes me palën sllovene për të zgjidhur kontestin e tyre.

“Ky është një rast i pashembullt dhe pa të ngjashëm në të shkuarën. Jemi dëshmitarë të korrupsion të gjyqtarit dhe në këtë rast zgjidhja më e thjeshtë do të ishte shpërndarja e trupës gjyqësore”, thotë ajo.

Kroacia pretendon se të drejtën e tërheqjes nga procesi gjyqësor njëanshmërisht ja mundëson Konventa e Vjenës, e cila përcakton se njëra palë mund të tërhiqet nga marrëveshja nëse ajo shkelet nga pala tjetër.

Konflikti për ujërat territoriale është i hershëm, që prej shkëputjes së këtyre dy vendeve nga ish-Jugosllavia. Tensionet u rritën më shumë kur Sllovenia bllokoi në dhjetor të 2008-ës anëtarësimin e Kroacisë në NATO dhe u përshkallëzuan kur bllokoi negociatat e anëtarësimit të Zagrebit me Bashkimin Europian në shtator-tetor të 2009-ës.

Çtensionimi do të mbërrinte një muaj më vonë kur Zagrebi dhe Lujbjana ranë dakort përmes një ujdie të ndërmjetësuar nga Presidenti i BE-së dhe të nënshkruar në Stokholm në nëntor të 2009-ës, që t’i drejtohen Gjykatës së Arbitrazhit për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button