Rinia shqiptare: e revoltuar kundër pushtetit, e papërfaqësuar nga opozita

Për katër muaj, qytetarët dolën në rrugë, sfiduan heshtjen dhe thyen frikën për të kërkuar ndryshim. Sot, revolta ka marrë fytyrën e një brezi të ri që nuk kërkon më vetëm të dëgjohet, por kërkon të vendosë për qeverisjen.
Por pikërisht në këtë moment, Shqipëria përballet me një paradoks të hidhur: shoqëria ka gjetur guximin të revoltohet kundër qeverisë, por opozita nuk ka arritur të përqafojë aspiratën e saj.
“Revolucioni i Flamingove”, i nisur në fund të majit si kundërshtim ndaj ndërtimeve në Zvërnec e Nartë, u kthye në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe modelit politik e ekonomik të vendit. Për muaj me radhë, qytetarët protestuan paqësisht, ndërsa kërkesat e tyre u shpërfillën. Në vend që të dëgjonin protestën, si pushteti, ashtu edhe opozita kryesore u përpoqën të vinin në diskutim motivet e saj.
Sot, protestës i është bashkuar me forcë një brez studentësh, pakënaqësia e të cilëve shkon shumë përtej kushteve të universiteteve. Pas tyre qëndron një krizë më e thellë: të rinj që investojnë vite në arsimim, por nuk shohin më asnjë mekanizëm që t’ua shpërblejë dijen, aftësinë dhe përpjekjen e tyre.
Është një brez që ka parë meritokracinë të zëvendësohet nga klientelizmi dhe militantizmi partiak, duke lënë emigracionin si mundësinë më të besueshme për të ndërtuar të ardhmen. Ky zhgënjim e ka zhvendosur lëvizjen përtej kërkesave ekonomike: dorëheqja e qeverisë është tani kërkesa kryesore e saj.
Por kërkesa për largimin e qeverisë ngre menjëherë pyetjen se kush mund ta përfaqësojë politikisht këtë pakënaqësi. Për PD-në, si forca kryesore e opozitës, kjo është një provë që skërkon më shumë se mbështetja për protestën.
Në ditët e para të Revolucionit të Flamingove, përfaqësuesit e PD-së kritikuan hapur protestën, por pasi ajo mori përmasa të mëdha, PD deklaroi përkrahjen për kërkesën për largimin e qeverisë. PD ka mbështetur edhe protestën e studentëve të ditëve të fundit.
Por mbështetja e revoltës nuk është e njëjtë me përqafimin e aspiratës së saj. PD duket se e sheh pakënaqësinë qytetare kryesisht si një mundësi për rotacion politik. Por ajo që po artikulohet në rrugë është një kërkesë shumë më e thellë: ndryshimi i sistemit politiko-ekonomik që ka prodhuar gjendjen kundër të cilës të rinjtë po rebelohen, dhe ky sistem përfshin edhe vetë opozitën.
Opozita tradicionale, veçanërisht PD-ja, vazhdon të mbështetet tek strukturat militante, besnikëria ndaj figurave historike dhe antagonizmi ndaj pushtetit. Ajo arrin të mobilizojë mbështetësit e saj, por nuk ka arritur të ndërtojë një marrëdhënie të re besimi me qytetarët që nuk identifikohen me këtë histori politike. Është një opozitë që vazhdon ta kërkojë dhe ta gjejë forcën te militantizmi, ndërsa protesta kërkon përfaqësim përtej kufijve partiakë.
Kontradikta është edhe më e thellë. E gjithë kjo revoltë lindi si kundërshtim ndaj një modeli zhvillimi, atij që prodhoi Zvërnecin, të cilin protestuesit e shohin si produkt të interesave të ndërthurura ekonomike dhe politike të tranzicionit.
Kërkesa e lëvizjes nuk është thjesht zëvendësimi i një kryeministri me një tjetër. Është aspirata për një shtet ku e ardhmja nuk përcaktohet nga lidhjet politike, ku zhvillimi ekonomik nuk mbështetet te privilegjet e një pakice dhe ku institucionet u shërbejnë qytetarëve, jo pushtetarëve. Revolta kërkon të çrrënjosë një model që është shtrirë edhe te opozita aktuale.
E si mund ta përfaqësojë këtë lëvizje një opozitë që nuk ka arritur të shkëputet bindshëm nga e njëjta mënyrë e të bërit politikë? Çfarë alternative ekonomike ofron opozita përtej asaj që kritikon? Si do të shkatërrojë oligarkinë dhe monopolet? Si do ta ndryshojë një ekonomi të mbështetur te ndërtimi, koncesionet dhe privilegjet e investimeve strategjike, duke e orientuar drejt produktivitetit, konkurrencës dhe inovacionit? Si do ta garantojë meritokracinë në shtet, kur vetë partitë politike vazhdojnë të promovojnë besnikërinë përpara kompetencës?
Këto janë pyetjet që do të duhej të përcaktonin identitetin e një alternative politike. Opozita shqiptare duket më e përgatitur vetëm për të shpjeguar përse duhet të largohet pushteti, sesa për të bindur qytetarët se çfarë do të ndërtojë pas tij. Të kërkosh vazhdimisht dorëheqjen e një qeverie është një qëndrim politik. Të ndërtosh besimin se pas largimit të saj do të ekzistojë një model politik, ekonomik dhe shoqëror më i mirë është një përgjegjësi shumë më e madhe.
Dhe këtu qëndron drama politike e protestave. Qytetarët po bëjnë atë që për vite me radhë u është kërkuar: të mos heshtin përballë padrejtësisë, të mos pajtohen me mungesën e perspektivës dhe të mos presin që ndryshimi t’u dhurohet. Ata kanë dalë në rrugë, kanë sfiduar pushtetin dhe kanë dëshmuar se shoqëria shqiptare ende ka energjinë dhe kurajën për të kërkuar një të ardhme ndryshe.
Por ndërsa shoqëria ka gjetur forcën për të kapërcyer frikën, opozita nuk ka gjetur forcën për të kapërcyer vetveten. Në këtë hendek, pushteti gjen hapësirë për të ruajtur kontrollin, ndërsa lëvizja rrezikon të mbetet pa një rrugë të besueshme drejt ndryshimit politik. Qytetari mbetet përpara së njëjtës zgjedhje të lodhur: një qeveri që nuk e do dhe një opozitë që nuk e bind.
Kjo është tragjedia e vërtetë: jo mungesa e revoltës, as mungesa e aspiratës, por mungesa e një alternative që arrin t’i bashkojë ato në një projekt të besueshëm për të ardhmen. Sepse rreziku më i madh nuk është që kjo revoltë të mos arrijë të rrëzojë një qeveri. Është që një brez i tërë, pasi ka kapërcyer frikën dhe ka gjetur guximin të kërkojë ndryshimin, të mbetet sërish i bindur se askush nuk mund ta përfaqësojë.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.