Ristani: Rama shpërfill Kerryn, promovon të inkriminuarit
Sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani, në një deklaratë për mediat ka akuzuar kryeministrin Rama se po shpërfill mesazhin e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, lidhur me dekriminalizimin, duke vazhduar të përdorë elementë të inkriminuar në partinë e tij.
“Departamenti amerikan i Shtetit e cilësoi të papranueshme që Arben Ndoka, i dënuar në Itali për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, të ishte pjesë e Parlamentit. Sekretari Kerry, pasi e vlerësoi dje në Tiranë procesin e dekriminalizimit, e veçoi atë si sukses dhe model që duhet ndjekur. E megjithatë, i zgjedhuri i Edi Ramës, i besuari i tij në Lezhë, ka prezantuar prefektin e qarkut”, ka deklaruar Ristani.
Duke treguar edhe një foto të personave në fjalë, Ristani ka nënvizuar se, Ndoka po vepron me bekimin e Edi Ramës, pavarësisht se ligji për dekriminalizimin, i nxitur nga opozita dhe ndërkombëtarët, e nxorri atë nga Parlamenti.
“Edi Rama sfidon hapur dekriminalizimin, sfidon hapur mesazhin e zotit John Kerry. Ai vazhdon t’u japë pushtet personave të inkriminuar, vazhdon t’i mbajë ata afër dhe po i përgadit ata për zgjedhjet që po vijnë për të deformuar votën e lirë”, ka thënë deputeti demokrat.
“Ende pa u mbushur 24 orë nga mesazhi i sekretarit Kerry për dekriminalizimin, Edi Rama po konfirmohet si promotor dhe protektor i krimit në politikë”, ka vijuar ai.