Rrahmani prin, Kosova dominon Shqipërinë! Elo nxjerr në pah 7 shqiptarë në Top 50-shen e rajonit
Amir Rrahmani është shqiptari më i vlerësuar në renditjen “Elo” të publikuar së fundmi për rajonin. Kapiteni i Kosovës ka grumbulluar 1696 pikë dhe pozicionohet në vendin e 9-të në rajon, duke qenë dukshëm më lart se të gjithë futbollistët e tjerë shqiptarë të përfshirë në klasifikim. Renditja sjell një tjetër të dhënë interesante për raportin mes dy përfaqësueseve shqiptare. Në “Top 50” gjenden plot shtatë futbollistë, por pesë prej tyre veshin fanellën e Kosovës, ndërsa vetëm dy përfaqësojnë Shqipërinë.
RRAHMANI NË KRYE
Mbrojtësi i Kosovës është emri që udhëheq grupin. Me 1696 pikë “Elo”, Rrahmani është i vetmi shqiptar që gjendet në dhjetëshen e parë të klasifikimit. Pozicioni i tij konfirmon edhe një herë peshën që ka kapiteni i Kosovës, si në nivel përfaqësuesesh, ashtu edhe në futbollin e klubeve. Pas tij vjen Vedat Muriqi, i cili renditet në vendin e 19të me 1652 pikë. Sulmuesi mbetet një prej figurave kryesore të Kosovës dhe është shqiptari i dytë më i lartë në klasifikim. Kosova vijon të ketë një prani të fortë në pjesën e sipërme të listës. Mërgim Vojvoda është i 33-ti me 1594 pikë, ndërsa Edon Zhegrova renditet i 36-ti me 1590 pikë. Pesëshen e futbollistëve të Kosovës e mbyll Arijanet Muriç, i cili ndodhet në vendin e 38-të me 1588 Elo.
STRAKOSHA KRYESON KUQEZINJTË
Për Shqipërinë, emri më i lartë në këtë renditje është Thomas Strakosha. Portieri kuqezi ka 1608 pikë dhe pozicionohet në vendin e 29-të, duke qenë jo vetëm lojtari më i mirë i Shqipërisë në këtë klasifikim, por edhe më lart se disa prej emrave të Kosovës. Pas tij vjen Berat Gjimshiti, i cili me 1575 pikë renditet në vendin e 45-të. Kapiteni i kuqezinjve është lojtari i dytë i Shqipërisë që siguron një vend në 50-shen më të mirë.
PESË ME DY PËR KOSOVËN
Shifrat janë të qarta. Kosova ka pesë lojtarë në “Top 50”, ndërsa Shqipëria vetëm dy. Në krye të gjithë shqiptarëve qëndron Rrahmani, ndërsa Strakosha është kuqeziu më i vlerësuar. Renditja e bazuar në sistemin “Elo” synon të pasqyrojë forcën dhe formën e futbollistëve në bazë të rezultateve dhe paraqitjeve të tyre. Për futbollin shqiptar, kjo listë sjell një panoramë interesante. Shtatë emra në 50-shen e rajonit dhe një kapiten, Rrahmani, në elitën e dhjetëshes së parë.
PANORAMASPORT.AL



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.