Rrahmani propozon rritjen graduale të pagës minimale deri në 1,000 euro në vitin 2029
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës një amendament përmes të cilit propozon rritjen graduale të pagës minimale, deri në 1,000 euro në muaj nga janari i vitit 2029.
Sipas propozimit të Rrahmanit, paga minimale do të rritej në tri faza: nga janari i vitit 2027 në 650 euro, nga janari i vitit 2028 në 825 euro, ndërsa nga janari i vitit 2029 në 1,000 euro.
Përmes një postimi në Facebook, Rrahmani ka thënë se rritja e pagës minimale është e domosdoshme, pasi sipas saj, niveli aktual nuk po arrin ta përcjellë rritjen e kostos së jetesës në Kosovë.
Ai ka rikujtuar se edhe në vitin 2022 kishte propozuar që paga minimale të ishte 500 euro, por atëherë ky propozim ishte konsideruar i paarritshëm nga shumë persona, përfshirë edhe ministrin.
Rrahmani ka vlerësuar se propozimi i ri është i realizueshëm dhe i rëndësishëm për ruajtjen e fuqisë punëtore në Kosovë, si dhe për sigurimin e një jete më dinjitoze për punëtorët.
Në fund, deputeti i PDK-së u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, pavarësisht përkatësisë partiake, që ta mbështesin amendamentin.
“Punëtorët e Kosovës meritojnë të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre, jo vetëm të mbijetojnë!”, ka shkruar Rrahmani./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.