Rajoni

Rritet shqetësimi në tregje për një “Grexit”

Shqetësimi dhe frika në tregjet e huaja, skenaret dhe deklaratat e politikanëve dhe analistëve në faqet e mediave të huaja në orët e fundit kanë vetëm një emërues të përbashkët, fjalën “Grexit”, mundësinë që Greqia të largohet nga Eurozona.

athinaparalamentiKjo, pasi numërimi mbrapsht për qeverinë greke ka kohë që ka  nisur, arkat e shtetit po shterrojnë dhe Athina nuk ka ende asnjë marrëveshje me huadhënësit e saj.

Sipas agjencisë “Reuters”, BQE ka analizuar një skenar sipas të cilit Greqia do të mbetet pa të holla dhe do të fillojë të paguajë nëpunësit me një monedhë paralele virtuale brenda Eurozonës, të ashtuquajtur IOU, supozim që praktikisht nuk qëndron, sipas analistëve.

“Në fund të ditës do të na duhet një marrëveshje e re dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë do të mbetemi pa para, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik dhe e vetmja zgjidhje më pas është të kesh monedhën tënde dhe të fillosh të printosh para”, deklaron analisti Dimitris Katsikas.

Javët e fundit Greqia është kritikuar për një paqartësi në programin e kryeministrit Tsipras, që ndodhet midis presionit të huadhënësve për privatizime dhe masa shtrënguese, të fraksioneve të majta të partisë së tij që nuk pranojnë të shkelen premtimet elektorale, por edhe të 80% të grekëve që e duan vendin në Eurozonë.

Edhe ministri amerikan i Thesarit i ka kërkuar në orët e fundit qeverisë Tsipras një plan konkret reformash, në vend të retorikës së nxehtë të përshkallëzuar, e cila ka bërë që Greqia të humbë besueshmërinë e partnerëve dhe të vështirësojë negociatat.

“Zgjidhja duhet të jetë, siç është thënë edhe nga qeveria greke, një kompromis i ndershëm nga të dyja palët. Qeveria greke të propozojë një program gjithëpërfshirës të reformave që do të ketë edhe kosto politike dhe europianët të japin ndihmë për shembull në aspektin e borxhit, shlyerjen e tij në të ardhmen dhe të fondeve për investime”, vijon analisti Katsikas.

Pa një marrëveshje politike me partnerët javën e ardhshme, Greqia ka të ngjarë të vonojë pagesat e saj ndaj kreditorëve. Një zgjidhje e përkohshme mund të jenë rreth 5 mld euro që Athina duket se do marrë nga Moska si paradhënie për marrëveshjen e gazsjellësit Turkish Stream, sipas së përditshmes gjermane “Der Spiegel”.

Por vendit i duhet brenda këtij viti një paketë e re ndihmash prej 30 miliardë euro, në mënyrë që të paguhen detyrimet dhe kjo, sipas analistëve, arrihet vetëm nëse Greqia dhe huadhënësit bien dakord për të gjitha reformat e kërkuara. Përndryshe, siç paralajmëron “Financial Times” në numrin e saj të fundit, nëse Tsipras do të dështojë në Greqi do të vijë në fuqi Agimi i Artë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button