Rruga ballkanike, 9 vende të rajonit pa Greqinë në Vjenë. Athina revoltohet
Austria e mbrojti vendimin e saj për të mbajtur një samit mbi çështjen e refugjatëve me shtetet e Ballkanit Perëndimor, pa ftuar aty Greqinë.
Athina paraqiti një ankesë zyrtare ndaj Vjenës dhe atij që quajti një takim “jomiqësor” dhe antieuropian.
Tensionet mes dy vendeve, përpara konferencës ku diskutohen strategjitë e reduktimit të fluksit të emigrantëve, janë të larta, me Greqinë që ndihet padrejtësisht e përjashtuar nga samiti, që mbledh bashkë udhëheqësit e 9 vendeve të rajonit përgjatë të ashtuquajturës “rruga ballkanike” e emigrantëve.
Sqarimi i zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme austriake, Karl-Heinz Grundboeck, ishte i shkurtër dhe i prerë: takimet me udhëheqësit ballkanik zhvillohen brenda një formati të përcaktuar, me pjesëmarrje të vendosur paraprakisht.
Konferenca me emrin “Ta menaxhojmë emigracionin së bashku” përfshin ministrat e Jashtëm apo të Brendshëm të Shqipërisë, Bosnjes, Bullgarisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbise dhe Sllovenisë.
Boshtin e diskutimeve do ta përbëjnë çështje të tilla si, menaxhimi i kufijve, mënyrat sesi duhen luftuar trafikantët e qenieve njerëzore, apo përmirësimi i fluksit të informacionit në lidhje me politikat e secilit prej vendeve në fjalë.
Samiti i Vjenës do të përpiqet gjithashtu të krikojë pozicione të unifikuara përpara takimit të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, të enjten. Athina ndërkohë nuk e fsheh zemërimin dhe, faktin që përjashtohet nga samiti e cilëson një “përpjekje për të marrë, në mungesë të saj, vendime që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë Greqinë e kufijtë grekë”.