RTSH: Nuk do te pranojme kaseta te gatshme nga partite politike
Radio Televizioni Shqiptar ( RTSH) nuk do të pranojë, për emisionet e veta të lajmeve, materiale të gatshme të partive politike pjesëmarrëse në zgjdhjet e afërme elektorale, por do ta mbulojë fushatën zgjedhore vetëm me gazetarët e vet.
RTSH përmes një shkrese të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm Thoma Gëllci, njofton kryetarët e partive pjesëmarrëse në zgjdhje se pasqyrimi i aktiviteteve të partive politike do të bëhet në mënyrë të pavarur dhe profesionale nga vetë gazetarët dhe operatorët e saj. Kjo, sipas RTSH, do t’i shërbejë ruajtjes së profesionalizmit dhe informimit të paanshëm të publikut.
Dihet se partitë politike shqiptare dhe sidomos partitë e mëdha kanë ngritur zyra të fuqishme të shtypit dhe propagandës të cilat të mirëpajisura dhe të mirëpaguara përgatisin materiale propagandistike të gatshme të cilat shpërndahen nëpër televizionet e vendit. Transmetimi të tilla nëpër emisionet e lajmeve bëhet duke shkelur rëndë pavarësinë e tyre por edhe ligjin, i cili e përcakton qartë se duhet bërë një ndarje e qartë e reklamës me informacionin dhe se ndalohet reklama e fshehtë.
Ky vendim nuk përfshin kohën e përcaktuar me ligj që jepet falas për propagandën e partive politike,nga televizioni publik dhe tani me ndryshimet e fundit ligjore, edhe nga televizionet private , por kjo do të jetë e treguar qartë dhe e ndarë nga emisionet informative apo nga emisionet e tjera radiotelevizive.
Kohët e fundit Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit Shqiptar miratoi , për herë të parë , Parimet editorial ku është përcaktuar në mënyrë konkrete se si duhet të sillet gazetari i RTSH gjatë fushatave elektorale. Sipas Parimeve Edioriale “ Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesve të partive politike ose kandidatëve që garojnë nuk u lejohet të paraqiten në emisione të tjera të RTSH-së, me përjashtim të rasteve te përcaktuara në Kodin Zgjedhor për kohën falas të propogandës së Partive Politike.. Kur pasqyrohen aktivitetet e përfaqësuesve të partive politike dhe kandidatëve që mbajnë poste qeveritare apo publike, RTSH duhet të bëjë dallimin e qartë midis funksioneve të tyre zyrtare dhe veprimtarisë zgjedhore.
Deri më tani RTSH ka bërë disa trainime të gazetarëve të saj për pasqyrimin e fushatës zgjedhore.
Ditët e fundit në RTSH janë zhvilluar disa seanca trainimi nga pedagogu i Akademise se Eurovizionit dhe ish gazetari i BBC Jonathan Stoneman pikërisht për fushatën zgjedhore që jemi në prag.
Duhet thënë se vendimi i RTSH për të mos pranuar materialet e gatshme të partive politike, por ta ndjekë këtë me gazetarët e vet, është një hap i duhur që duhet të ndiqet edhe nga televizionet dhe radiot e tjera private të cilat shpesh herë kthehen në zëdhënëse të zyrave të shtypit të partive te ndryshme.