RUMANI – Parlamenti miraton qeverinë pro evropiane të Niculescut
BUKURESHT, 20 tetor /ATSH-AFP/ – Parlamenti i Rumanisë miratoi sot qeverinë e kryeministrit pro evropian Luca Niculescu, duke i dhënë fund disa muajve të ngërçit politik.
Diplomati i pavarur 55-vjeçar, i mbështetur nga tri parti pro evropiane, mori 280 vota, shumë më tepër se 233 votat e nevojshme për miratimin e qeverisë.
Niculescu ishte kandidati i katërt që kërkonte të merrte mandatin për formimin e qeverisë që prej rënies së koalicionit të mëparshëm në maj.
Ai nuk i përket asnjë partie politike dhe ka propozuar një kabinet të përbërë nga ministra të Partisë Social-demokrate (PSD), forca kryesore politike në vend, si dhe nga ekspertë dhe profesionistë pa përkatësi partiake.
“Rumanisë i duhet një qeveri me kompetenca të plota, pas kaq shumë muajsh krize politike”, deklaroi Niculescu përpara deputetëve.
Ai theksoi se vendi përballet me një situatë gjithnjë e më të pasigurt ndërkombëtare, duke nënvizuar rreziqet që lidhen me luftën pranë kufijve rumunë dhe kërcënimet në rritje ndaj sigurisë evropiane.
Kriza politike në Rumani nisi pesë muaj më parë, pas rënies së një koalicioni pro-evropian të përbërë nga katër parti, i cili drejtohej nga kryeministri liberal Ilie Bolojan.
Që prej asaj kohe, vendi është përballur me vështirësi në formimin e një shumice të qëndrueshme parlamentare dhe në krijimin e një qeverie të re.
Gjatë kësaj periudhe, partia e ekstremit të djathtë Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR) ka kryesuar sondazhet, me rreth 40% të preferencave të votuesve, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Megjithatë, presidenti Nicusor Dan e ka kundërshtuar këtë mundësi, duke argumentuar se zgjedhjet e reja do ta zgjasnin paqëndrueshmërinë politike dhe do të përkeqësonin gjendjen e financave publike.
Presidenti Dan ka përjashtuar gjithashtu mundësinë e përfshirjes së ekstremit të djathtë në qeveri.
Miratimi i kabinetit të Niculescut synon të rikthejë stabilitetin institucional dhe të sigurojë vazhdimësinë e orientimit pro-evropian të Rumanisë, në një kohë kur siguria rajonale dhe sfidat ekonomike mbeten ndër çështjet kryesore për vendin./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.