SPAJIQ: MALI I ZI NISI 14 PROJEKTE PARTNERE DHE TËRHOQI 544 MILIONË EURO INVESTIME TË HUAJA
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi në Konferencën e Investimeve Bashkimi Evropian – Mali i Zi, në Herceg Novi, se gjatë vitit të fundit janë nisur 14 projekte partnere, janë miratuar 10 memorandume dhe janë prezantuar katër partneritete strategjike investuese.
Si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm, ai përmendi kompaninë ajrore Wizz Air, e cila hapi bazën në Podgoricë dhe vendosi 17 linja të reja ajrore, duke krijuar 80 vende të reja pune.
Spajiq bëri të ditur se aktualisht po përshpejtohet realizimi i më shumë se 15 projekteve kryesore të investimeve. Sipas tij, gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, Mali i Zi ka tërhequr 544 milionë euro investime të huaja direkte, por më shumë se gjysma e tyre janë orientuar drejt pasurive të paluajtshme.
Ai theksoi se investimet e ardhshme duhet të përqendrohen më shumë në industri, energji, porte, teknologji dhe krijimin e vendeve të punës.
Gjatë konferencës u prezantuan edhe projekte në bujqësi, inovacion, logjistikë dhe zhvillimin ekonomik të veriut të vendit.
Spajiq theksoi se Qeveria synon të krijojë kushte më të favorshme për investitorët, përmes procedurave më të shpejta dhe rregullave më të qarta.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian, Gert Jan Kopman, vlerësoi se Mali i Zi ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në procesin e integrimit evropian, duke mbyllur 21 kapituj negociues.
Ai deklaroi se përfundimi i negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit është një objektiv realist dhe ambicie e përbashkët e Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian.
Kopman theksoi gjithashtu se BE-ja është e gatshme për zgjerim dhe se përparimi i Malit të Zi krijon mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik.
Konferenca dyditore, e cila mbahet më 20 dhe 21 tetor në Herceg Novi, synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik me BE-në dhe të tërheqë investime të reja në infrastrukturë, energji, teknologji dhe sektorë të tjerë strategjikë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.