RUSI – Lavrov: Asnjë provë për ndërhyrje ruse në zgjedhjet amerikane
Nuk ka asnjë provë të vetme për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, konfirmoi sot shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, në një kohë kur hetimi po vijon me shpejtësi në Uashington me tre akuzat e para.
“Na akuzojnë pa asnjë provë të vetme për zgjedhjet jo vetëm në SHBA, por gjithashtu në vende të tjera”, theksoi Lavrov në një konferencë shtypi.
Tre anëtarë të ekipit të fushatës së Donald Trump, përfshirë dhe ish-drejtorin Paul Manafort dhe një këshilltar, të cilët kishin mashtruar për kontaktet me Moskën, u akuzuan dje nga dejtësia amerikane.
Prokurori Mueller shpalli fajtor Paul Manafort dhe bashkëpunëtorin e tij, Richard Gates, kundër të cilëve ai ngriti 12 aktakuza, mes të cilave komplot kundër Shtëpisë së Bardhë, pastrim parash, deklarata të rreme dhe mosdeklarim të llogarive personale jashtë vendit.
Por, aktakuza prej 31 faqesh nuk përmend bashkëpunim mes ekipit të kandidatit republikan dhe autoriteteve ruse.
Shumë të vështira për presidentin amerikan, Trump janë zbulimet përsa i përket një prej ish-këshilltarëve të tij, deri tani në hije, George Papadopoulos, i cili u shpall fajtor se kishte dhënë deklarata të rreme për hetuesit e policisë federale (FBI).
Ky person i ngarkuar me çështjet politike të huaja në ekipin e fushatës ka tentuar të fshehë kontaktet e thella me ndërmjetësuesit rusë, sipas të cilave ai kishte mësuar se Moska kishte materiale që dëmtonin imazhin e Hillary Clinton, në formën e mijëra email-eve.
Disa komisione parlamentare amerikane do të dëgjojnë duke nisur nga sot përfaqësuesit e Facebook, Twitter dhe Google përsa i përket blerjeve të mundshme të reklamave të shënjestruara në rrjetet sociale nga entitetet ruse gjatë fushatës zgjedhore amerikane.
Moska hedh poshtë faktin se është përpjekur të influencojë në procesin zgjedhor amerikan.