Rusia, Turqia dhe kolonializmi 2.0
Politika e Rusisë dhe Turqisë pasqyron reflekset e vjetra perandorake. Kështu ata vazhdojnë t’i bëjnë dëm të gjithë rajonit. Dhimbjet “fantazëm” janë një dukuri e ndërlikuar. Mbi të gjitha ato janë të paparashikueshme. Herë shfaqen menjëherë pas humbjes së një gjymtyrë nganjëherë kohë më vonë. Dhe mund të kalojë një kohë e gjatë deri sa të zhduken. Po të llogaritësh dhimbjet fantazëm të individëve në shoqëri të tëra, krijon një ide se sa kohë mund të qendrojnë ata në subkoshiencën kolektive. Përplasja e dy ish fuqive të mëdha, Rusisë dhe Turqisë, të jep një ide të asaj se çfarë periudhash kohore mund të zgjasin dhimbjet imagjinare. Dhe duket sikur i luajnë mendsh fare, ata që vuajnë prej tyre.
Dhimbjet nga kohët e shkuara
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka cilësuar një herë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeopolitike. Më 1991 imperializmi rus u shkatërrua, shtetet satelite u shpërndanë në të gjitha anët. Qysh atëherë Rusia është vetëm Rusi – prej kohësh jo më superfuqi. Presidentit kjo i dhemb deri sot. Këtë dhimbje e ka të ngjashme me trashëgimtarin e vonë të një superfuqie tjetër, me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan. Ai ankohet për humbje, që vijnë nga kohë më të hershme, gati 100 vjet më parë, kur perandoria Osmane, një nga shtetet humbëse të luftës së Parë Botërore, u reduktua nga fuqitë fituese në një pjesë të territorit të saj të mëparshëm. Madhështia e dikurshme ka marrë fund. Por shpirti i vjetër jeton ende. “Ne jemi të emocionuar nga fryma, që krijoi Perandorinë Osmame”, tha Erdogan në nëntor 2012.
Përkushtim i lartë
A përjashtohet mundësia që dhimbja fantazëm dikton sjellen e të dy kryetarëve të shtetit? Goditja e avionit rus para disa ditësh të bën të mendosh pikërisht këtë. Rusia dhe Turqia kanë qenë dikur rivalë. Dhe Irani, Afganistani, Balkani dhe rajoni përreth Detit të Zi përbënin terrenin, për të cilën ata luftonin. Këto ditë është vazhdimi: Rusia përkrah Iranit është në kursin e ekspandimit ushtarak, Turqia kalon në mbrojtje: Ajo dëshiron të mbajë të paktën kufijtë e saj nga vitet 1920 dhe jo të përjetojë që në një moment edhe kurdët përmes krijimit të shtetit të reduktojnë trashëgiminë e vjetër osmane. Angazhimi është i lartë për të dyja palët. Dhe për këtë arsye edhe Turqia tani kalon në ofensivë. A mund të jetë rastësi, që lufta prokurë mes Rusisë dhe Turqisë përqëndrohet sidomos në rajonin e Bayirbucak në Sirinë veriperëndimore. Sepse turkmenët, që jetojnë atje, sipas perspektivës turkomadhe përbëjnë një urë gjeostrategjike drejt Stambollit. Pikërisht këtë sferë të ndikimit turk do të parandalojë me çdo kusht regjimi i Bashar al-Asadit për pjesën, që do të mbetet nga Siria pas luftës. Prandaj ai i lufton me të gjithë forcën e tij turkmenët, që ndodhen nën goditjen ruse. Nëse rusëve u del mirë llogaria, edhe ata mund të kenë në fund ndikim më të madh në rajon.
Një “Great Game” e re?
Me fjalë të tjera: Pas kolonializmit është para kolonializmit. Viktimat vazhdojnë të jenë sirianët, që ikin nga bombat e Assadit, si dhe nga thikat e IS. Që ky i fundit me ndryshimin e emrit nga “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” në “Shteti Islamik” tregon se duan një shtet pa kufi, këtë e ka demonstruar në sulmet e javëve të fundit. Ata të kujtojnë në mënyrë cinike faktin, që kolonializmi është një biznes i rrezikshëm, në kohët moderne si dhe në ato postmoderne. Kjo vetëm të lë të shpresosh, se dhimbja e vërtetë të forcohet më shumë se dhimbja fantoazëm. Atëherë mund ta kuptojnë se “great game” të shekullit të 19 nuk toleron përsëritje. Më me rëndësi – edhe këtë ndoshta do ta kuptojnë – është një front i bashkuar kundër terrorizmit: kundër atij të diktatorit sirian si dhe djallit xhihadist, që ai e la të dalë nga shishja para disa vjetësh.