“Ryanair” paralajmëron shtrenjtim të biletave ajrore për shkak të rritjes së çmimit të karburantit
DUBLIN, 2 nëntor /ATSH-DPA/- Kompania ajrore irlandeze, “Ryanair” po shqyrton mundësinë e ngrirjes së përkohshme të pagave dhe përdorimit më të madh të inteligjencës artificiale (IA), për të përballuar rritjen e kostove të karburantit gjatë vitit të ardhshëm.
Kompania me seli në Dublin deklaroi se pret që çmimet e karburantit për avionët të mbeten të larta deri në vitin 2027, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Aktualisht, “Ryanair” ka siguruar paraprakisht rreth 80% të nevojave për karburant me çmime shumë më të ulëta se ato të tregut. Megjithatë, kjo mbrojtje nga rritja e çmimeve do të përfundojë gradualisht pas mbylljes së vitit financiar.
Për këtë arsye, kompania parashikon që shpenzimet për karburantin të rriten me rreth 2 miliardë euro gjatë vitit financiar që përfundon në mars 2028.
“Ryanair” pret që çmimet e biletave për fluturimet e shkurtra në Evropë të rriten ndjeshëm për shkak të shtrenjtimit të karburantit. Megjithatë, kompania vlerëson se kjo rritje e biletave nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar plotësisht kostot shtesë.
Përballë kësaj situate, drejtuesit e kompanisë po shqyrtojnë të gjitha mundësitë për uljen e shpenzimeve. Ndër masat e mundshme janë ngrirja e përkohshme e pagave të punonjësve dhe ulja e numrit të personelit në raport me numrin e fluturimeve dhe pasagjerëve.
Kompania po shqyrton gjithashtu përdorimin më të madh të inteligjencës artificiale për të përmirësuar organizimin e fluturimeve, punën administrative dhe shërbimet mbështetëse, me synimin për të ulur kostot dhe për të rritur efikasitetin.
Njoftimi vjen në një kohë kur kompania raportoi se fitimi pas taksave ra me 15%, duke arritur në 2,15 miliardë euro për gjashtëmujorin që përfundoi në shtator, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të ardhurat u rritën me 3%, duke arritur në 10,08 miliardë euro, të ndihmuara nga rritja me 6% e numrit të pasagjerëve.
Megjithatë, shpenzimet e përgjithshme të kompanisë u rritën me 10%, duke arritur në 7,69 miliardë euro gjatë kësaj periudhe.
Në fillim të këtij viti, “Ryanair” njoftoi se do të ulte objektivin për numrin e pasagjerëve gjatë vitit, nga 216 milionë në 214 milionë, në përpjekje për të përballuar rritjen e kostove të karburantit, për të cilin nuk kishte siguruar paraprakisht çmime të favorshme.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Michael O’Leary, tha se kërkesa për fluturime gjatë tremujorit të tretë është e fortë dhe se çmimet e biletave po shënojnë një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, ai theksoi se shumica e rezervimeve po bëhen më pranë datës së udhëtimit, gjë që e bën më të vështirë parashikimin e kërkesës.
Sipas tij, të ardhurat nga biletat gjatë tremujorit të tretë do të varen kryesisht nga rezervimet për pushimet shkollore të tetorit dhe nëntorit, si dhe për periudhën e Krishtlindjeve.
O’Leary shtoi se është ende herët për të dhënë një parashikim të besueshëm për fitimin pas taksave të kompanisë për të gjithë vitin financiar 2027. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.