12 maj 2025. Sali Berisha dhe PD dolën të zhgënjyer. Pësuan një humbje poshtëruese. PS kundërshtare fitoi 83 deputetë. Diferenca midis rivalëve qe e madhe. Populli u kishte dhënë 300000 vota më shumë të majtëve të Edi Ramës. Kaq duhej që doktori, si gjithmonë, të deklaronte menjëherë që ai nuk e njihte rezultatin e zgjedhjeve. Pse? Nga që narko-shteti kishte bërë një masakër të madhe. Nuk u mjaftua vetëm me deklaratat denigruese brenda Shqipërisë. Urgjent frymën e mbajti në institucionet e Evropës së Bashkuar. Çfarë nuk nxori nga goja e tij? Vetëm vrer dhe përbaltosje për një kusari të përmasave të mëdha të kryera nga Edi Rama dhe bandat e tij. Nuk na paskëshin qenë zgjedhje. Kishte ndodhur një masakër skandaloze…Premtoi se kishte për të sjellë prova dhe video…
Evropa e dëgjoi për kortezi. Ajo nuk e mbështeti. Evropa heshti. Priste që ODIHR dhe OSBE (që i vëzhguan zgjedhjet) të paraqisnin raportet e tyre. Vonesa e justifikuar doktorit, natyrisht nuk i pëlqeu. Dërgoi dishepujt e tij, zonjën Vokshi dhe zotin Këlliçi, në Internacionalen Demokratike të Qendrës për të paraqitur faktet e shumta diskredituese që na kishin siguruar, për t’i bindur delegatët për farsën zgjedhore të Edi Ramës. Shpifjet, sajesat dhe gënjeshtrat e lakejve të Berishës internacionalistët e qendrës së djathtë i morën të mirëqena. U hartua edhe një rezolutë që dënonte fuqishëm veprimet arbitrare të socialistëve në pushtet. Një rezolutë që nuk ka as edhe një vlerë nga që u hartua vetëm duke dëgjuar një këmborë. Një rezolutë pa u konsultuar me ODIHR-in dhe OSBE-në.?! Megjithatë gëzimi i berishistëve ishte i papërshkruar. Ai duhej të fashitej vetëm kur vëzhguesit që dërgoi Evropa në Shqipëri deklaruan: ” PROCESI ZGJEDHOR ISHTE TRANSPARENT DHE I QETË.” Vlerësuan në të njëjtën kohë dhe punën e lavdërueshme të SPAK-ut. Berisha këto i anashkalon. Ngul këmbë që njerëzit të besojnë shpifjet e tij për parregullsitë antidemokratike që ai i ka të dokumentuara dhe që ka për t’ua nisur institucioneve të Evropës së Bashkuar. Paraqet edhe disa video në kanalet televizive, pa përcaktuar vendin dhe as komisionerët, qe sipas tij , po vidhnin votat. Është i vendosur të përdorë çdo lloj truku që njerëzit të marrin si të vërteta trillimet imagjinare të tij.
Lind natyrshëm pyetja: Kur ai e di mirë që procesi zgjedhor ka qenë i rregullt, pse vjell kaq vrer dhe gënjen publikisht? Përgjigja është shumë e thjeshtë: Pas shpifjes ” u masakruan zgjedhjet”, ai i jep të drejtë vetes të mos japë dorëheqjen si kryetar i PD-së. Doktori mefistofel luan edhe me zëvendësimin e fjalës zgjedhje me masakër. Po të ishin vërtetë zgjedhje (normale), sipas statutit të PD-së, ai tha se do të kishte lënë karrigen menjëherë. Me që ishin masakër ai nuk jep dorëheqje. Po demokratët çfarë thonë? Servilët e tij e mbështesin apriori. Demokratët e ndershëm e kanë të vështirë ta besojnë. Edhe rinumërimi i votave për Tiranën tregoi që PD-së jo vetëm nuk i janë vjedhur, po i janë shtuar vota. Luhatjet e vërejtura janë gabime njerëzore. Në asnjë rast ato nuk kanë ndikuar për të ndryshuar rezultatin si për partitë dhe për individët. Kjo është e vërteta e zgjedhjeve të 11 majit 2025. Edhe pse i gozhduar pas fakteve kokëforta, Sali Berisha vazhdon hakërrimin e tij për të demaskuar farsën Rama si në mëmëdhe dhe në Evropë e kudo në botë. Me këtë taktikë mënjanon analizën për humbjen e thellë për të vënë pikat mbi i-në për shkaqet që PD-ja për të katërtën herë rresht u dhuron pushtetin të majtëve të Edi Ramës. E fryn si tullumbace farsën e masakrës zgjedhore edhe për të hedhur baltë kundër Shqipërisë në mënyrë që Evropa të ngadalësojë ose bllokojë procesin e negociatave për anëtarësimin tonë në BE. Synimi i qeverisë për të mbyllur grup-kapitujt në 2028 që të pranohemi në BE në vitin 2O30 Berishën e lë pa gjumë. Do të donte që ai të ishte kryeministri që meriton të arrijë këtë sukses historik. Jo Rama që bashkëpunon me bandat.
Po Perëndimi si është duke iu përgjigjur akuzave të Berishës për masakrën zgjedhore? SHBA dhe Anglia, që e kanë shpallur NON GRATA, as që denjojnë të merren me të. Evropa i ka pranuar zgjedhjet tona transparente dhe të qeta. Kjo do të thotë që shpifjet monstruoze të përbaltësit të Shqipërisë bien në vesh të shurdhët. Nuk i marrin për të vërteta, se janë përçartje të një njeriu nën akuzë penale për korrupsion pasiv si dhe me dosje që presin të hetohen dhe gjykohen për vrasjet e 21 janarit dhe tragjedisë së Gërdecit. Ato fundosin demonin Berisha. Edhe pse ai përbetohet dhe këmbëngul për vjedhje votash, duke përbaltur Atdheun e vet, Perëndimi i shumëzon me zero. Perëndimi, Evropa me seriozitet, përkushtim dhe dashamirësi është duke punuar që Shqipëria bashkë me Malin e Zi në vitet në vijim do të jenë pjesë e familjes së madhe me emrin Bashkimi Evropian.