Samiti G-20 në Bali/Janet Yellen: Uashingtoni do të mbajë një pjesë të sanksioneve anti-ruse edhe pas luftës
“Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja ndaj një rrjeti transnacional prej 14 personash dhe 28 kompanish që ndërmjetësuan dhe blenë teknologji ushtarake në ndihmë të agresionit të Rusisë në Ukrainë”, tha Ministrja e Financave, Janet Yellen.
Në margjinat e samitit të G-20 në Bali, ajo sqaroi se një pjesë e sanksioneve ndaj ekonomisë ruse do të mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të luftës. Përfundimi i luftës në Ukrainë është mënyra më e mirë për t’u dhënë fund trazirave ekonomike globale. Për këtë qëllim duhet bërë presion ndaj Rusisë, shtoi Yellen. Indonezia, e cila është nikoqire e samitit, ka bërë thirrje për bisedime për zgjidhjen e konfliktit, por, si disa anëtarë të tjerë të G20, Kina, Afrika e Jugut dhe India, ka shmangur kryesisht kritikat e drejtpërdrejta të Rusisë, raporton Reuters.
Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, tha se ukrainasit janë gjithnjë e më të sigurt në arritjen e fitores ndaj Rusisë. Zelenski njoftoi se vendi do t’u përgjigjet sulmeve me raketa dhe ajrore ruse, si dhe ndaj zjarrit të artilerisë kundër rajoneve Sumi, Harkov, Lugansk dhe Doneck.
Këshilltari i Presidentit Mihail Podoliak i tha UNIAN se pavarësisht sulmeve të rënda ruse në rajonin e Donetcut, Kievi po zhvillon plane për lirimin e bllokadës së Detit Azov, centralit bërthamor në Zaporozhie dhe çlirimin e bregut të majtë të Dnieperit në rajonin Herson.