Ekonomia

Samiti hekurudhor i ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor, Balluku: Po ndërtojmë kapacitetet

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte sot e pranishme në samitin hekurudhor të ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Beograd, ku prezantoi nismat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e këtij sektori, si dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku u shpreh se në bashkëpunim edhe me BERZH-in, në Shqipëri ka nisur projekti për rikonstruksionin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës me degëzim drejt aeroportit të Rinasit.

Për këtë, ajo tha se javën e kaluar pati një takim me ekipin e BERZH-it.

“Projekti i nisur Tiranë-Durrës me degëzim deri në aeroport është shumë i rëndësishëm për ne. BERZH dhe BEI e dinë që kapacitetet tona nuk janë të mjaftueshme pikërisht për shkak të moszhvillimit të këtij sektori prej rreth 3 dekadash. Ekspertët tanë janë të vjetër dhe ne nuk kemi ekspertë të rinj, dhe kur flasim për rikonstruktimin e hekurudhave fillimisht kërkohet ndërtimi i kapaciteteve, në mënyrë që të mund të punojmë edhe për projekte të tjera të reja”, deklaroi Balluku.

Më tej, ajo tha se kemi po ashtu një projekt shumë të rëndësishëm që është projekti i parë ndërkufitar, hekurudha që shkon deri në pikën kufitare me Malin e Zi.

Gjithashtu, informoi Balluku, jemi duke biseduar edhe për segmentet e tjera që do të kontribuojnë që rrjeti hekurudhor i Shqipërisë dhe të gjitha lidhjet kufitare të bëhen realitet në të ardhmen e afërt.

“Por ne e kemi shumë të rëndësishme që të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitetet njerëzore bashkë me mbështetjen tuaj dhe të përditësohemi rregullisht në lidhje me projektet e ardhshme”, deklaroi Balluku.

Sipas Ballukut, Shqipëria e dalë nga një izolim prej gati 5 dekadash e nis nga zeroja zhvillimin e këtij sektori dhe se nevoja për kapacitetet njerëzore është thelbësore.

“Së pari, dua t’u them diçka të rëndësishme, të veçantë që përbën realitetin në vendit tim. Duke ardhur nga aeroporti po diskutonim me stafin tim ndryshimin midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Dallimi është se ne në Shqipëri po ia nisim nga zero. Vijmë nga një e kaluar e ngjashme por jo e njëjtë. Kemi kaluar përmes një sistemi shumë të rreptë komunist. Zhvillimi infrastrukturor ka qenë i prapambetur. Sektori hekurudhor ishte e vetmja mënyrë transporti në vend, sepse ne nuk kemi pasur makina private. Ndërsa për 50 vite kalimi i kufijve ishte e ndaluar”, parashtroi ministrja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button